Sherifi: Limaj luftoi për çlirim të vendit, e Hoxhaj nga Vjena, sabotoi luftën e UÇK-së
Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka bërë një krahasim në mes kryetarit të Nismës Fatmir Limajt dhe kandidatit të PDK-së për kryeministër Enver Hoxhajt, ku për Limajn tha se në kohën më të vështirë ishte kthyer në vendlindje për të çliruar vendin.
“Tjetri u ndal në Vjenë për të sabotuar luftën e UÇK-së, për të thënë në një moment të caktuar se nëse fiton UÇK unë do të kërkojë azil në Beograd. Imagjinoni zgjedhësit e krahut të luftës në çfarë gjendje i kanë sjellë, në krye ua kanë sjellë një njeri që ka qenë i gatshëm që më me dëshirë të jetojë në Beograd si azilant, sesa të fitojë UÇK dhe Kosova të çlirohet”, tha ai, në një tubim zgjedhor në Gjilan.
Andaj, ka thënë si, vendit i duhet zëri i çlirimtarëve dhe i Fatmir Limajt në Kuvendin e Kosovës.
Sherifi e ka ftuar që të dal publikisht Enver Hoxhajn, që të tregojë se a ka pasur gjenocid në Kosovë apo jo, pasi ditë më parë është përfolur se Hoxhaj në një libër të tij, e kishte vënë në pikëpyetje gjenocidin e ndodhur në Kosovë.
Në këtë takim mbështetjen e qytetarëve të Gjilanit e kanë kërkuar edhe kandidatët për deputetë nga kjo komunë.
Pas dështimit të arritje së koalicionit parazgjedhor mes Nismës dhe PDK-së, këto dy parti politike po shfaqin akuza ndaj njëra-tjetrës.