Nisma kërkon nga Specialja të hetojë krimet serbe në Kosovë

Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka thënë se kërkojnë nga Prokuroria e Kosovës të sqarojë nëse ka pasur bashkëpunim me Dhomat e Specializuara në funksion të ndriçimit të krimeve që Serbia i ka kryer gjatë luftës në Kosovë.

“Kjo çështje duhet sqaruar për shumë arsye, në veçanti për shkak se përfaqësuesit e shtetit dhe prokurorisë serbe kanë pohuar publikisht se kanë qenë në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Specializuar të Kosovës në Hagë dhe se gjatë këtij bashkëpunimi ata e kanë furnizuar prokurorinë e Kosovës me prova mbi bazën e të cilave është ngritur aktakuzë kundër udhëheqesve të UÇK-së”, tha ai në një konferencë për media.

Sherifi shtoi se kërkojnë sqarime mes tjerash nga Prokuroria e Kosovës të sqarojë se cila është shkalla e bashkëpunimit me Specialen.

“Sa dosje lidhur me aktet gjenocidale që ka kryer Serbia gjatë zbatimit të gjenocidit në Kosovë ia ka dorëzuar Prokuroria e Kosovës në zyrën e Prokurorit të Specializuar”, tha ai duke shtuar se nëse deri më tash nuk është bërë një gjë e tillë, Nisma kërkon nga Prokuroria e Kosovës t’i dorëzojë Prokurorit të Specializuar të gjitha provat që posedon lidhur me krimet në të gjitha masakrat e shënuara në Kosovë.

Nisma ka kërkuar nga Gjykata Speciale të sqarojë nëse janë duke përgatitur aktakuza ndaj përfaqësuesve të shtetit serb që kanë qenë të përfshirë në kryerjen e gjenocidit në Kosovë.

Jakup Krasniqi, i cili është pjesë e Nismës Socialdemokrate dhe njëri nga katër krerët e UÇK-së që po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit është deklaruar i pafajshëm para Dhomave të Specializuara.

“Unë nuk ndjehem fajtor e as përgjegjës për asnjë pikë që thuhet në aktakuzë, nuk kam asnjë faj të vetëm nuk di si ta them ndryshe”, ishin fjalët e Krasniqit kur u deklarua për fajësinë.

Jakup Krasniqi deklarohet i pafajshëm: Jam arsimuar që të jem mësues, por jam detyruar të luftoj