Nisma Socialdemokrate: VV po tenton të grabisë mandatet tona

Ish- shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të mos tentojë të grabisë mandatet e tyre në legjislaturën e ardhshme në Kuvendin e Kosovës duke shtuar veprimet e fundit të VV-së po tregojnë dyfytyrësinë e këtij subjekti.

Këto komente të Sherifit erdhën pasi që gjatë ditës së sotme, anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka thënë se kjo parti ka ushtruar ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës ndaj vendimit të djeshëm të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që të largojë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës të ardhura nga Serbia.

Me anë të disa videove të paraqitura në këtë konferencë, Sherifi tha se anëtarët e VV-së në KQZ në fillim kishin thënë se votat e ardhura nga Serbia ishin kriminale e më pas janë ankuar për vendimin e PZAP-së për të pranuar si të bazuar ankesën për largimin e votave serbe nga rezultati përfundimtar.

“Ajo që sot na bën të dalim para jush është fakti se përderisa Vetëvendosje ishte e kënaqur me mandatin që i kishte dhënë populli, i refuzonte këto vota, thoshte se janë të paligjshme, janë kontrabandë. Në momentin kur e pa që prej këtyre 3104 votave mund të grabisë 6 mandate të Nismës ajo hoqi maskën, nga patriotë dolën grabitqarë”, tha Sherifi.

Tutje ai shtoi se mandatet e Nismës Socialdemokrate janë të ligjshme.

“Dëshirojnë të grabisin votat, mandatet që kanë dalë nga 42 mijë votues të ligjshëm, nga secili fshat e qytet i Kosovës, pra 42 mijë vota përballë 3104 votave kriminale. Ata i duan këto vota sepse duan të grabisin e jo sepse duan të mbrojnë diçka. Rezultati që ka dhënë populli është ky 29 VV, 28 LDK, 6 koalicioni i NIsma-AKR-PD, 23 apo 24 PDK dhe 13 AAK-së. Pra ky është mandati që ka dhënë populli. Çdo gjë tjetër është tendencë për të grabitur mandate të huaja. Ju e patë se përfaqësuesit e VV-së në KQZ çka kanë deklaruar në këto vota”, shtoi ai.

Sipas Sherifit, Vetëvendosje po kërkon që me anë të votave të ardhura nga Serbia të grabisë mandatet që i takojnë Nismës.

“Presioni që është duke u ushtruar kundër PZAP-së, për shkak të vendimit të saj është një mesazh që po përpiqen t’i dërgojnë Gjykatës Supreme për t’i frikësuar në mënyrë që të merren vendime sipas dëshirave të tyre grabitqare, por nuk do ta pranojmë këtë. Ne do të pranojmë çdo rezultat që del nga votat e rregullta por jo nga tendencat për grabitje të mandateve. Ne jemi të zhgënjyer që ata që po paraqiten si shpresë për vendin, duhet të startojnë qeverisjen me vjedhje. Nuk mundet asnjë qeveri që fillon me hajni të përfundojë me ndershmëri. Ne ju bëjmë thirrje Vetëvendosjes të heqë dorë nga grabitja e mandateve të Nismës sepse këto mandate i takojnë Nismës”, shtoi Sherifi.

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar për mbledhjet e Komisionit Qendror Zgjedhor dhe vendimet që janë marrë për zgjedhjet e 6 tetorit.

Gjatë ditës së djeshme KALLXO.com raportoi se Paneli për Ankesa dhe Parashtresa ka pranuar si të bazuar ankesën e koalicionit Nisma-AKR-PD.

PZAP gjithashtu vendosi edhe për rinumërimin e 1 mijë e 472 vendvotimeve.

“PZAP-i 53 ankesa i ka pranuar të bazuara prej tyre lidhur me 52 ankesa paneli ka vendosur që të urdhëroj KQZ-në, për rinumërimin e 1472 vendvotimeve. Ndërsa lidhur me ankesën e parashtruar nga Koalicioni Nisma – AKR – PD, ka vendosur që të pranoj të bazuar ankesën dhe ka urdhëruar KQZ-në, që të largoj nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës të ardhura nga Serbia”, thuhet në njoftim.

PZAP pranon ankesën e NISMA-AKR-PD kundër votave të Listës Serbe

Gjatë ditës së sotme anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka thënë se kjo parti ka ushtruar ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës ndaj vendimit të djeshëm të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Vendimin e PZAP-së, Rrustemi e ka quajtur politik.

Kandidatë të VV-së ankohen në Supreme ndaj vendimit të PZAP-së për votat nga Serbia

Gjithashtu KALLXO.com raportoi gjatë ditës së sotme se Gjykata Supreme ka njoftuar se deri më tani ka pranuar 5 ankesa, në lidhje me vendimin e PZAP-së për rinumërim të votave dhe largimin e votave të ardhura nga Serbia në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Sipas njoftimit,  pesë ankesat janë ankesa individuale nga deputetë të partive politike.

“Një ankesë është nga një deputet i LDK-së, një nga një deputet i Kosova Demokratik Turk Partisi (KDTP), një ankesë nga një deputet i Partisë Liberale të Ashkalinjëve dhe dy nga deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet në njoftim.