Kushtetuesja: Vendimet e presidentit për anëtarët e KQZ-së nuk bien ndesh me Kushtetutën

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka hedhur poshtë pretendimin e shefit të grupit parlamentar të Nisma Socialdemokrate, Bilall Sherifi dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës se vendimi për emërimin e tetë anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor  (KQZ) është në kundërshtim me paragrafin 4 të nenit 139 të Kushtetutës.

Në aktvendimin e ditës së sotme, Kushtetuesja e ka cilësuar si të ‘pranueshme për shqyrtim në merita’ kërkesën e Sherifit dhe 29 deputetëve, duke konstatuar se vendimi i presidentit nuk ka pasur ndonjë shkelje ligjore.

“Vendimi nr.57/2019, Vendimi nr.58/2019, Vendimi nr.59/2019, Vendimi nr.60/2019, Vendimi nr.61/2019, Vendimi nr.62/2019, Vendimi nr.63/2019, Vendimi nr.65/2019, të 28 marsit 2019 të Presidentit të Republikës së Kosovës, nuk janë në kundërshtim me paragrafin 4 të nenit 139 [Komisioni Qendror i Zgjedhjeve] të Kushtetutës”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Këtu mund ta gjeni vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur edhe për disa raste të tjera.