Sami Lushtaku

Rasti i Sami Lushtakut Shkon në Gjykatën Supreme

Arianit Koci përmes një njoftimi në faqen e tij në “Facebook” ka bërë të ditura arsyet e ankesës.

“Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore të Mitrovicës dhe e ka zëvendësuar me aktgjykim dënues për të pandehurin Sami Lushtaku, për veprën penale “cenimi i integritetit trupor dhe shëndetit të një numri të papërcaktuar të civilëve shqiptarë”, që ndërlidhet me Përgjegjësinë Komanduese të  pandehurit, duke e dënuar me shtatë (7) vite burgim”, thuhet në njoftimin e Kocit.

Koci për të mbështetur pretendimet në ankesën e tij i ka përmendur edhe disa raste të ish-Tribunalit të Hagës.

“Në çështjen Delalić, aktgjykimi i dt. 16 nëntor 1998, ¶377, Dhoma Gjyqësore e Tribunalit është shprehur se “përgjegjësia komanduese mbështetet në fuqinë e eprorit për të kontrolluar veprimet e vartësve të tij”. Në të njëjtën çështje, Dhoma e Apelit në aktgjykimin e dt. 20 shkurt 2001, ¶256 dhe ¶266, ka aplikuar Testin e Kontrollit Efektiv, sipas të cilit duhet “të përcaktohet nëse eprori ka pasur aftësi thelbësore për parandalimin dhe ndëshkimin e sjelljes kriminale”.

Sipas Kocit, kjo nënkupton se detyrimisht një epror duhet të ketë kompetenca të tilla paraprakisht dhe të mos i ushtrojë ato.

Koci më tej pretendon se , “një shkallë më e ulët e kontrollit, si për shembull, ‘ndikimi i konsiderueshëm’ nuk mund të provojë zotërimin e përgjegjësisë komanduese”.

http://kallxo.com/apeli-denon-sami-lushtakun-dhe-sylejman-selimin/

Në ankesën e tij, avokati Koci pretendon se Gjykata e Apelit aktgjykimin dënues nuk e ka mbështetur në prova të mjaftueshme.

“Pra, konstatimi i Gjykatës së Apelit lidhur me “fajësinë” e Sami Lushtakut është bërë duke u mbështetur në prova të pamjaftueshme, duke u bazuar vetëm në një deklaratë të një dëshmitari, të nxjerrë tërësisht nga konteksti dhe duke e zhvendosur barrën e provës në mbrojtjen, gjë e cila është në kundërshtim me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare penale”, thuhet në njoftimin e Kocit.

Gjykata e Apelit në aktgjykimin e saj, e aprovoi në tërësi ankesën e mbrojtjes, andaj Sami Lushtaku u shpall i pafajshëm për veprën penale “Vrasje” duke u liruar prej dënimit me dymbëdhjetë (12) vjet burg, të shqiptuar nga Gjykata Themelorë në Mitrovicë.

Dosja e gjykimit të Sami Lushtakut në KALLXO.com