Rasti i Astrit Deharit Tensionon Sërish Kuvendin

Kërkesa e përsëritur e Lëvizjes Vetëvendosje për një seancë të jashtëzakonshme për rastin e vdekjes së Astrit Deharit në qendrën e paraburgimit në Prizren shkaktoi edhe sot polemika në seancën e Kuvendit.

Deputetët e opozitës po insistojnë në seancë ndërsa grupet e partive në koalicion qeveritar, PDK e LDK, po e refuzojnë këtë gjë.

Për shkak të refuzimit për të debatuar, një grup i deputetëve të Vetëvendosjes janë duke qëndruar para foltores së Kuvendit me një baner në dorë në të cilin shkruan “Drejtësi për Astritin”.

Kërkesa për seancë është përsëritur pasi dje Kuvendit i është dorëzuar një peticion me nënshkrimet e rreth 25 mijë qytetarëve për të debatuar për këtë çështje.

Por kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli u arsyetua në çështje procedurale duke thënë se peticioni i është dërguar një komisioni parlamentar e jo kryesisë së Kuvendit.

“Duhet të flitet për shkaktarët e vertetë që e kanë shty një djalë të ri t’ia marrë jetën vetes.  Duhet të marrin përgjegjësi kush e ka nxitur apo kush e ka shkaktuar vrasjen apo vetëvrasjen e tij”, tha ai.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti kundërshtoi idenë për debat.

“Asnjë nga arsyet për seancë nuk janë plotësuar. Është koha për drejtësi dhe këtë punë duhet t’ia lëmë drejtësisë. Në këtë fazë nuk duhet të ndërhyjmë, sidomos tani kur familja ka mërzi. Kërkoj t’ia lëmë këtë punë organeve të drejtësisë. Rasti i Astritit është shumë i ndjeshëm, por kemi edhe raste tjera në burgjet e Kosovës”, tha Pajaziti.

Të njëjtin mendim e pati edhe Ismet Beqiri i LDK-së.

“Prej seancës që ëhstë kërkuar më herët nuk ka ndonjë ndryshim. Jemi të interesuar të dalin rezultatet përfundimtare. Pas këtyre rezultateve të hetimeve, ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në seancë, çdo gjë më herët nuk i kontribuon këtij hetimi të pavarur”, tha Beqiri.

Por Visar Ymeri nga Vetëvendosje kërkoi seancë të jashtëzakonshme ndërsa polemizoi me Veselin pasi që ky i fundit e cilësoi si vetëvrasje vdekjen e Astrit Deharit.

“Ne kemi kërkesën shumë të qartë që në këtë seancë të futet si pikë e rendit të ditës dhe kjo duhet me u hedh në votim”, tha Ymeri.

Ndërsa Valdete Bajrami nga NISMA kontestoi arsyetimin e koalicionit qeveritar se debati për këtë rast që është nën hetim mund të jetë ndërhyrje në drejtësi.

“Vetë deputetët e koalicionit qeveritar kanë kërkuar debat për vendime të gjykatave në rastin e dënimeve për krime të luftës”, tha Bajrami duke iu referuar një debati të mbajtur muajin e kaluar, pas dënimeve të shqiptuara nga gjykata për Grupin Drenica.