Makinat zyrtare me mbishkrimet e VV-së

Ramadani: Policia Nënvlerësoi Situatën në Protestën e LVV-së

Në 60 makina zyrtare dhe në muret e ndërtesës së Qeverisë së Kosovës të premten u shkruajt parulla “Drejtësi për Astritin”.

Burim Ramadani nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë, tha për KALLXO.com se protesta e pardjeshme është nënvlerësuar nga ana e policisë.

“Ajo që është parë të premten, duket të ketë qenë një nënvlerësim i situatës nga ana e policisë. Më duket se nuk është vlerësuar situata në mënyrë të plotë”, tha Ramadani.

KALLXO.com ndoqi protestën e zhvilluar para dy ditësh gjatë së cilës në disa momente pati fërkime mes protestuesve dhe policisë bashkë me gjuajtje më gjësende të ndryshme drejt forcave të rendit, por nuk u pengua shkrimi i parullës mbi makina zyrtare dhe objektin qeveritar.

http://kallxo.com/ferkimet-vv-polici-ne-aksionin-per-deharin/

“Vetëvendosja” aksionin e zhvilloi në ditën kur u bënë saktësisht gjashtë muaj nga vdekja më 5 nëntor 2016 e aktivistit të saj Astrit Dehari në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimet për sulmin me granatahedhës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës në gushtin e vitit të kaluar.

Njohësi i çështjeve të sigurisë Burim Ramadani tha për KALLXO.com se policia nuk duhet të zihet në befasi nga zhvillime të tilla.

“Policia nuk duhet të zihet në befasi. Çfarëdo veprimi nga kushdoqoftë nuk duhet të rrezikojë individin apo pronën publike e private”, tha Ramadani për KALLXO.com.

Në raportin policor një ditë pas protestës Policia e Kosovës njoftoi se aksionin e LVV-së po e trajton si dëmtim të pasurisë dhe sulm ndaj personit zyrtar.

http://kallxo.com/policia-60-vetura-u-demtuan-ne-aksionin-e-vv-se/

Në nenin 5 të Ligjit për Policinë e Kosovës njëra nga detyrat e forcave të rendit është që “të mbrojnë jetën, pronën dhe të ofrojnë siguri për të gjithë personat”.

KALLXO.com raportoi gjatë protestës së Lëvizjes “Vetëvendosje” para Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë.

http://kallxo.com/drejtesi-per-astritin-ne-qeveri-dhe-makina/