Gjykimi i Fitim Abazit - Foto: KALLXO.com

Prokurorja Kërkon Kohë për të Precizuar Aktakuzën

Në shqyrtimin gjyqësor ndaj të akuzuarit Fitim Abazi prokurorja e rastit, Ferdane Sylejmani, ka kërkuar kohë për precizim të aktakuzës.

Prokurorja para leximit të aktakuzës tha se ka nevojë për kohë për të bërë disa përmirësime dhe precizime sa i përket rikualifikimit të veprës penale dhe pasi që pas kësaj seance kishte dhe një seancë tjetër i kërkoi kryetares së trupit gjykues Valbona Musliu-Selimaj që ta shtynte seancën për një datë tjetër.

“Para se ta lexoj aktakuzën dua të deklarohem lidhur me ricilësimin e veprës penale, pasi që unë sot nuk kam mundur ta bëjë këtë rikualifikim të veprës penale. Dëshiroj t’i bëj disa përmirësime dhe precizime sa i përket rikualifikimit të kësaj vepre penale dhe pasi që sot nuk jam në gjendje ta bëj një precizim të tillë dhe pasi që sot e kam edhe një seancë tjetër te gjyqtari Beqir Kalludra, kërkoj nga Gjykata që kjo seancë të shtyhet në një afat sa më të shkurtë deri sa ta bëj ricilësimin e veprës penale”, tha prokurorja.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Fitim Abazi, avokati Behar Ejupi i propozoi Gjykatës që ndaj të mbrojturit të tij të zëvendësohet masa e arrestit shtëpiak me atë të paraqitjes në stacion policor me arsyetimin se kjo masë do të jetë e mjaftueshme për sigurimin e të akuzuarit në shqyrtim gjyqësor.

“I propozoj Gjykatës që në lidhje me të mbrojturin tim Fitim Abazi t’i ndryshohet masa e cila është caktuar dhe vazhduar nga Gjykata, masa e arrestit shtëpiak, pasi që edhe dy ditë gjegjësisht deri me datën 15 është e vazhduar kjo masë, dhe mbrojtja konsideron se masa për paraqitje në stacion policor do të jetë masë e mjaftueshme për sigurinë e të pandehurit në këtë çështje penale”, tha avokati Behar Ejupi.

Avokati Ejupi deklaroi se tanimë kanë pushuar kushtet për shkak të të cilave është caktuar masa e arrestit shtëpiak pasi që sipas tij tashmë nuk ekziston më rreziku i ikjes së të akuzuarit pasi që i njëjti e ka respektuar këtë masë tash e disa muaj.

“Pasi që kanë pushuar kushtet për të cilat është caktuar dhe vazhduar kjo masë. Kushti sa i përket rrezikut të ikjes nuk ekziston te Fitim Abazi pasi që i njëjti tash e tre muaj e ka respektuar këtë masë dhe asnjëherë nuk ka dalë nga shtëpia pa lejen e gjykatës. Po ashtu klienti im premton se çdo ftesë që ka të bëjë me këtë çështje penale do t’i përgjigjet me përpikëri dhe pa asnjë vonesë”, shtoi tutje avokati Ejupi.

Edhe vetë i akuzuari i premtoi Gjykatës se do ta respektojë masën e paraqitjes në stacion policor dhe se nuk do të mungojë në shqyrtim gjyqësor.

“Premtoj që do t’i përgjigjem çdo ftese të Gjykatës”, deklaroi i akuzuari.

Por ndryshe nga avokati si dhe vetë i akuzuari u deklarua prokurorja e rastit, e cila e kundërshtoi propozimin e mbrojtjes.

Më pas edhe kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Valbona Musliu- Selimaj mori aktvendim me anë të të cilit refuzoi propozimin e mbrojtjes.

“Pas dëgjimit të propozimit të mbrojtjes dhe deklarimit të prokurores së shtetit marr këtë aktvendim: refuzohet propozimi për ndryshimin e masës së arrestit shtëpiak, vendimi mbetet në fuqi”, deklaroi kryetarja e trupit gjykues e cila më pas seancën e radhës e caktoi për datën 18 prill.

Sipas aktakuzës në janar të këtij viti në fshatin Keqekollë të Prishtinës, i akuzuari Fitim Abazi ka tentuar që ta privojë nga jeta të dëmtuarin Ardian Elezaj dhe me atë rast me dashje ka vënë në rrezik jetën e personave tjerë, të dëmtuarve Vjollcë Bajrami dhe Dilbere Bajrami, në atë mënyrë që përderisa i dëmtuari Ardian Elezaj e nisë automjetin e tij dhe pasi largohet 15-20 metra, i akuzuari e ka nxjerrë revolen duke shtënë dy-tre herë me revole në drejtim të të dëmtuarit, dhe predha e ka goditur automjetin në pjesën e prapme në brendësi të automjetit.

Po ashtu në bazë të aktakuzës në kohë, vend dhe mënyrë të përshkruar si më lartë i akuzuari Fitim Abazi pa autorizim ka poseduar armën e tipit “TT M57” të kalibrit 7.62mm.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari me anë të këtyre veprimeve ka kryer veprat penale, vrasje e rëndë në tentativë dhe mbajtja në pronësi kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve.