Foto: KALLXO.com

Gjykimi për tentim vrasjen në Viti drejt fundit

Gjykimi i Skender Hasanit, Muhabi Latifit, Shukri Latifit dhe Ekrem Azizit i është afruar fundit.

Muhabi dhe Shukri Latifi akuzohen për lëndim të rëndë trupor, kurse Ekrem Azizi dhe Skender Hasani për vrasje në tentativë.

Në seancën e sotme në Gjykatën e Gjilanit u dëgjua i akuzuari Ekrem Azizi,  i cili tha se e pranon fajësinë për armëmbajtje pa leje por jo edhe për vrasje në tentativë.

“Ditën kur ka ndodhur rasti unë kam qenë në treg të kafshëve, në rrugën Gërlicë-Viti. Pasi e kam ndal veturën, e kam kalu rrugën dhe kam hy në treg, pasi jam kthyer për te vetura jam goditur nga dikush me “stupc”. Porsa më ka goditur në kokë unë jam rrëzuar. Kur kam këqyr herën tjetër Skenderi e kishte ngritur stupcin nalt dhe prapë më ka goditur në krah”, tha i akuzuari Ekrem Azizi.

Tutje i akuzuari tha se pasi ka provuar të ngrihet, ka krisur revolja e Skender Hasanit dhe e ka goditur në këmbë.

“Kur ka krisur revolja e Skenderit, unë e kam nxjerrë revolen time dhe e kam goditur atë në këmbën e majtë. Papritmas ka ardhur Muhabia me veturë, më ka goditur me kapakun e veturës dhe unë jam rrëzu, dikush aty më ka kapë dhe më ka “fur” për fyti dhe kur e kam pa ai ish kanë Shukria”, theksoi i akuzuari Ekrem Azizi.

Sipas Prokurorisë, Skender Hasani në muajin mars të vitit 2011, në Viti, ka tentuar ta privojë nga jeta të akuzuarin tjetër Ekrem Azizi.

Aktakuza sqaron se Skender Hasani  fillimisht e kishte goditur me ‘stupc’ Ekrem Azizin në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit. Më pas, të njëjtin e godet dy herë me revole (që e kishte poseduar pa leje) në kofshë dhe në bark, ku për shkak të lëndimeve të marra detyrohet të kërkojë ndihmë në QKUK.

Ndërsa, të akuzuarit Muhabi dhe Shukri Latifi, sipas aktakuzës në bashkëveprim gjersa i akuzuari Ekrem ishte duke ikur, të njëjtit e godasin me grushte, ‘stupca’ dhe me boks të hekurt në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

I akuzuari tjetër Ekrem Azizi akuzohet se me armë të zjarrit ka tentuar t’i privojë nga jeta të akuzuarit Skender dhe Muhabi Latifi duke i goditur që të dy me nga një predhë në këmbë dhe në gjoks.

E tërë kjo ngjarje mes të akuzuarve kishte ndodhur më 31 mars të vitit 2011, në afërsi të fshatit Smirë, në rrugën rajonale Viti-Gërlicë.

Për shkak se mbrojtësi i të akuzuarit Muhabi Latifi, avokati Burim Islami, nuk ndihej mirë me shëndet dhe u dërgua në Spital, seanca e sotme u ndërpre për të vazhduar më 2 mars.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë nga ky rast.

Gjykimi për tentim vrasjen e ndodhur para 9 viteve, të akuzuarit deklarohen rreth fajësisë