Tentativa për vrasje që nga viti 2008, viktima në gjykatë, i akuzuari jo

Një tentativë për vrasje e ndodhur në mars të vitit 2008, nuk ka marrë ende epilog nga gjykata.

I akuzuari Bastri Gashi nuk ishte prezent në seancën e së mërkurës në Gjykatën e Prishtinës.

Mungesa e tij bëri që seanca të dështojë, ndonëse aktakuza e prokurorisë figuron që nga gushti i vitit 2014, 6 vite pas ngjarjes kritike.

Trupi gjykues i përbërë nga Alltën Murseli, Gëzim Ademi dhe Gazmend Bahtiri vendosën që ky gjykim të shtyhej deri në janar të vitit të ardhshëm.

Si e ka përshkruar prokuroria këtë tentativë të vrasjes?

Sipas dosjes së prokurorisë, që mban datën e 28 gushtit të vitit 2014, Bastri Gashi kishte tentuar ta vrasë Nexhmedin Gashin me dy plumba në oborrin e këtij të fundit, nga vetura me dritare të hapur.

Por dëshmitari I. G. e kishte hedhur një gur në drejtim të të akuzuarit Bastri Gashi duke e parandaluar kështu vrasjen e Nexhmedinit.

Bastri Gashi, i cili sipas dosjes mban nofkën “Cuka”, akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje të pistoletës 7.65 mm, duke e shkelur kshtu Rregulloren për Armëmabjtje e cila ka qenë në fuqi kohën e kryerjes së veprës penale.

Për këtë rast janë propozuar edhe dëshmitarë, dy prej tyre nuk gjenden në Kosovë, sipas të dëmtuarit Nexhmedin Gashi.

Ky njoftoi trupin gjykues se do të paraqesë ankesë në gjykatë lidhur me vonesat për këtë çështje.

Gjykatësja Murseli njoftoi se për Bastri Gashin do të lëshohet urdhëresë në mënyrë që të sigurohet prezenca e tij në seancë.