Foto: KALLXO.com

Rrëfimi i të akuzuarit për tentim vrasjen e ndodhur para 9 viteve

Gjykimi i Skender Hasanit, Muhabi Latifit, Shukri Latifit dhe Ekrem Azizit i është afruar fundit.

Muhabi dhe Shukri Latifi akuzohen për lëndim të rëndë trupor, kurse Ekrem Azizi dhe Skender Hasani për vrasje në tentativë.

Në seancën e sotme u dëgjua i akuzuari Ekrem Azizi, i cili tha se ditën kur ka ndodhur rasti, Muhabiu e kishte ndalur dhe i kishte thënë se përse po kalon asaj rruge (në të cilën ai po kalonte).

“Shukriu dhe Muhabiu m’u kanë afruar te dritarja e veturës dhe më kanë thënë se po e prisnin dikë, por kjo vlen edhe për ty. Unë i thash se kjo është rrugë publike por ai më tha se nëse edhe njëherë i bie këtejpari “lakna të bëj”. Ne ditën kur ka ndodhur rasti unë pasi kam dalë nga spitali kanë dërgu njerëz për t’u pajtuar dhe ne edhe jemi pajtuar me palën tjetër”, tha i akuzuari Ekrem Azizi.

Tutje i akuzuari tha se ditën kur janë rrahur me palën tjetër ka pasur lëndime thuajse në gjithë trupin.

“Lëndimin e kam marrë në krah me shkop druri  dhe atë ma ka shkaktuar Skenderi. Me armë jam goditur me dy predha, e para është në kofshën e majtë dhe e dyta në abdomen. Tretman kam marrë në Viti, pastaj në Gjilan dhe në fund në QKUK, në Prishtinë, ku kam qëndruar 2 muaj e 10 ditë”, tha tutje i akuzuari.

Aktakuza sqaron se Skender Hasani  fillimisht e kishte goditur me ‘stupc’ Ekrem Azizin në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit. Më pas, të njëjtin e godet dy herë me revole (që e kishte poseduar pa leje) në kofshë dhe në bark, ku për shkak të lëndimeve të marra detyrohet të kërkojë ndihmë në QKUK.

Ndërsa, të akuzuarit Muhabi dhe Shukri Latifi, sipas aktakuzës, në bashkëveprim gjersa i akuzuari Ekrem Azizi ishte duke ikur, të njëjtit e godasin me grushte, ‘stupca’ dhe me boks të hekurt në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

I akuzuari tjetër Ekrem Azizi akuzohet se me armë të zjarrit ka tentuar t’i privojë nga jeta të akuzuarit Skender Hasani dhe Muhabi Latifi, duke i goditur që të dy me nga një predhë në këmbë dhe në gjoks.

E tërë kjo ngjarje mes të akuzuarve kishte ndodhur më 31 mars të vitit 2011, në afërsi të fshatit Smirë, në rrugën rajonale Viti-Gërlicë.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë çështje.