Foto: Kallxo.com

Pejë, refuzohet pranimi i fajësisë nga të akuzuarit për plumbat e shkrepur

Gjykatësi Sami Sharraxhiu refuzoi pranimin e fajësisë nga të akuzuarit Sadik Hajdaraj dhe Burim Lushaj.

Megjithatë, gjykatësi në Pejë nuk dha ndonjë arsyetim për këtë refuzim.

Sadik Hajdaraj akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë ndaj të dëmtuarit Burim Lushaj dhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa Burim Lushaj akuzohet për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm.

Sipas aktakuzës, Sadik Hajdaraj me motive të hakmarrjes, ka tentuar ta privojë nga jeta Burim Lushajn, duke shtëne 8 herë në distancë prej 10 metra në drejtim të tij. Sipas dosjes së prokurorisë, Lushaj ishte goditur me një predhë mbi gjurin e këmbës së majtë.

Nga ana tjetër, Burim Lushaj akuzohet nga prokuroria se pasi ishte sulmuar nga Hajdaraj, kishte shtënë me armë 5 herë radhazi.

Hajdaraj sot pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje, por u deklarua i pafajshëm në akuzën për vrasje të rëndë në tentativë.

Seanca e radhës është caktuar më 19 shtator.