Gjykimi për vrasje në tentativë - Foto: KALLXO.com

I akuzuari dhe i dëmtuari rrëfejnë nga sa plumba i shkrepën kundër njëri-tjetrit

Ka përfunduar gjykimi kundër Sadik Hajdarajt, i cili akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë ndaj të dëmtuarit Burim Lushaj dhe për armëmbajtje pa leje, dhe kundër Burim Lushajt, i cili akuzohet për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm.

Në seancën e sotme gjyqësore u dëgjuan në cilësinë e dëshmitarëve 3 persona, të akuzuarit dhanë mbrojtjen e tyre dhe palët në procedure dhanë fjalën përfundimtare.

Dëshmitari Ilir Daci, i cili është punëtor në parkingun ku ka ndodhur ngjarja, rrëfeu para trupit gjykues se personat me makinën e llojit “ Mercedes” kanë gjuajtur në drejtim të veturës “Opel Astra” dhe se personi në veturën “Opel Astra” është rrezuar në tokë.

Dëshmitari tha se ka pasur shumë të shtëna me armë.

“Unë kam qenë diku një metër larg veturës ‘Mercedes’, dhe personat kanë qenë në makinë brenda pastaj personi që ka qenë më armë ka dalë dhe ka shtënë më armë. Të parët kanë shtënë këta me ‘Mercedes’”, shtoi tutje dëshmitari Daci.

Në cilësinë e dëshmitarit është paraqitur edhe një punëtor i parkingut “Zekaj”.

Bahri Gashi para trupit gjykues rrëfeu për ngjarjen që kishte ndodhur më 3 qershor të vitit 2013.

“Vetura e dytë ka ardhur shumë shpejt dhe me të filluar të shtënat unë kam ikur menjëherë. Nuk kam parë a është plagosur dikush. Mbas 10 minutave unë u ktheva në parking, nuk kam parë gëzhoja në vendin e ngjarjes sepse kam qëndruar në një kasolle”, tha Gashi.

Para Gjykatës dha dëshminë e tij edhe Faik Hajdaraj, i cili tha se ka qenë i akuzuari Burim që ka gjuajtur i pari ditën kritike dhe atë në drejtim të tij.

“Burimi shumë shpejt ka dalë nga vetura, ka pasur çantën dhe armën në dorë. Burimi ka gjuajtur në drejtim timin dhe ju kam thënë këtyre në ‘Mercedes’: Dilni!”, deklaroi Hajdaraj.

Në pyetje të prokurorit Haxhi Sinanaj se “pse nuk ke deklaruar kështu në Prokurori “, dëshmitari u përgjigj: “Sepse atëherë veç ishim pajtu”.

Trupi gjykues me propozim të prokurorit të shtetit e ka konsideruar të lexuar deklaratën e dëshmitarit Xhavit Krreku. Ky i fundit u tha që ka vdekur.

I akuzuari Sadik Hajdaraj në mbrojtjen e tij të dhënë para trupit gjykues tha se me familjen Lushaj kanë pasur përleshje por që tash i kanë përmirësuar raportet.

Ai tha se në ditën kritike pasi ka dëgjuar të shtënën me armë kishte dalë nga vetura dukë shtënë tërë kohën me qëllim që t’i largojë personat që ishin me të jashtë parkingut.

“Faiku ka qenë duke e bërë pagesën për parking, ndërkohe Faiku e ka goditur kerrin me duar duke bërtite: Çu se i lave durtë!”.

“E kam dëgjuar një të shtënë dhe kam dalë prej veturës duke shtënë edhe unë tërë kohën. Kam shku duke i tërheq personat qe ishin me mua jashtë parkingut”, tha Hajdaraj para trupit gjykues.

I pyetur nga prokurori Sinanaj se a ka pasur ditën kritike revole TT , i akuzuari e pranoi se ka pasur armë dhe se ka shtënë disa herë.

“Unë e kuptova se e kam plagosur Burimin kur i njëjti ka bërtitur”, shtoi ai.

Prokurori Haxhi Sinanaj konstatoi se meqenëse të akuzuarit janë pajtuar nuk do të lëshohet në vërtetimin e motivit se kush ka shtënë i pari.

I akuzuari Burim Lushaj në mbrojtjen e tij para Gjykatës tha se nuk ka pasur njohuri se familja Hajdaraj ka qenë atë ditë në atë parking dhe se pasi që e shtëna e parë e ka goditur në këmbë, duke u ndjerë i rrezikuar, ka shtënë më armë lartë 4 ose 5 herë.

“Kur hyra në parking e lash veturën aty dhe duke dashtë me lënë veturën aty, jam kthyer nga vetura e Sadikut, e shtëna e parë më ka goditur në këmbën e majtë, atëherë pas një minute kam dalë jashtë veturës dhe kam shtënë lartë 4 ose 5 herë, sepse u ndjeva i rrezikuar, pastaj erdh Policia në vendngjarje”, tha Lushaj.

Lidhur me revolen që e ka pasur në posedim, Lushaj tha se e njëjta është armë e shtëpisë dhe se ka qenë në veturën e tij.

Prokurori Haxhi Sinanaj në fjalën përfundimtare tha se nga administrimi i provave është provuar se të akuzuarit kane kryer veprat penale për të cilat i ngarkon aktakuza.

Mbrojtësi i të akuzuarit Sadik Hajdaraj, avokati Agim Shala, në fjalën përfundimtare kërkoi që të mbrojturit të tij t’i shqiptohet një masë sa më e lehtë, meqenëse nuk ka pasur motiv te hakmarrjes dhe shtoi faktin se të dy familjet mes vete kanë arritur marrëveshje pajtimi.

Dritero Kollqaku në cilësinë e mbrojtësit të të akuzuarit Burim Lushaj, në fjalën përfundimtare propozoi që meqenëse nga trupi gjykues është refuzuar pranimi i fajësisë nga Lushaj, ky pranim i fajësisë të merret si rrethanë lehtësuese.

Sipas aktakuzës, Sadik Hajdaraj me motive të hakmarrjes ka tentuar ta privojë nga jeta Burim Lushajn, duke shtënë 8 herë në distancë prej 10 metra në drejtim të tij. Sipas dosjes së Prokurorisë, Lushaj ishte goditur me një predhë mbi gjurin e këmbës së majtë.

Nga ana tjetër, Burim Lushaj akuzohet nga Prokuroria se pasi ishte sulmuar nga Hajdaraj kishte shtënë me armë 5 herë radhazi.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sami Sharraxhiu, tha se shpallja e aktgjykimit do të bëhet nesër.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.

Pejë, refuzohet pranimi i fajësisë nga të akuzuarit për plumbat e shkrepur

www.kallxo.com