Bajram Hamitaga, prokurori që u suspendua pas emisionit "Drejtësia në Kosovë" - Foto: KALLXO.com

Prokurori Hamitaga do të Gjykohet në Gjilan

Prokurori i krimeve të rënda i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Bajram Hamitaga, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe shoferi i kësaj Prokurorie, Luan Delili, i akuzuar për frikësim gjatë procedurës penale, do të gjykohen në Gjilan.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore e Gjilanit fillimisht ishte dërguar për gjykim në Gjykatën Themelore të Prizrenit.

Zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore të Prizrenit, Afërdita Kicaj, tha për KALLXO.com se lëndën e kanë dërguar në Gjykatën e Apelit për të vendosur për kompetencën e kësaj lënde.

“Lëndën e kemi dërguar në Gjykatën e Apelit dhe tani kemi marrë konfirmimin se Apeli ka vendosëur që lëndën ta gjykojë Gjykata Themelore në Gjilan”, tha Kicaj.

Hetimet ndaj Hamitagës dhe Delilit kanë filluar menjëherë pas transmetimit të emisionit “Drejtësia në Kosovë”, në të cilin prokurori akuzohej se ka kërkuar favore nga një i dyshuar ndaj të cilit ai po i zhvillonte hetimet.

http://kallxo.com/prokurori-rrefen-per-kositesen-qe-e-rregulloi-te-akuzuari/

http://kallxo.com/prokurori-flet-per-cadren-qe-mori-nga-familja-e-te-akuzuarit/

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve, Bajram Hamitaga dhe Luan Delili, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar dhe frikësimit gjatë procedurës penale.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Hamitaga, i cili ka qenë prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, nga muaji korrik i vitit 2013 deri më 22 janar 2015, në cilësinë e personit zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe djalin e tij, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me çka ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar.

Prokurori Hamitaga Dyshohet se Kërkoi Ryshfet nga i Akuzuari

Ndërkaq, i pandehuri i dytë, Luan Delili, më 08.04.2016, me anë të premtimit e ka nxitur personin tjetër që të përmbahet nga dhënia e deklaratave, në mënyrë që të tërhiqet nga dhënia e deklaratave që i ka dhënë në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prizren, se i pandehuri i parë B.H., ka kërkuar 5.000 euro, me çka ka kryer veprën penale të frikësimit gjatë procedurës penale.

http://kallxo.com/negociatat-e-korrupsionit-ne-prizren-video/

Të gjitha raportet lidhur me aferën në të cilën ishte i përfshirë prokurori tashmë i suspenduar Bajram Hamitaga dhe shoferi i Prokurorisë së Prizrenit, Luan Delili, mund t’i gjeni këtu.