Ish-prokurori Bajram Hamitaga | Foto: KALLXO.com

Prokurori Hamitaga Dyshohet se Kërkoi Ryshfet nga i Akuzuari

Dyshimet për korrupsion në Prokurorinë e Prizrenit, të ngritura nga i akuzuari Granit Paqarrizi dhe familjarët e tij, bënë që prokurori i krimeve të rënda Bajram Hamitaga të suspendohet nga detyra nën dyshimet se kishte kërkuar 5 mijë euro ryshfet.

E tëra kishte nisur më 2013-ën, kur Granit Paqarrizi ishte përfshirë në një përleshje masive ku pati edhe të plagosur nga armët e zjarrit. Granit Paqarrizi fillimisht u akuzua për armëmbajtje pa leje, për çka edhe ishte shpallur fajtor.

Mirëpo, pas kësaj në rrjetin social Facebook, prokurori Hamitaga ishte akuzuar nga pala tjetër se i kishte ndihmuar të akuzuarit Granit Paqarrizi. Pas këtyre akuzave, prokurori e kishte rihapur rastin duke e akuzuar për të dytën herë Granit Paqarrizin, mirëpo, kësaj radhe për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë.

Pas akuzës së dytë, reaguan familjarët e Paqarrizit duke e akuzuar prokurorin Hamitaga se këtë e ka bërë në shenjë hakmarrje ndaj tyre, pasi që ata nuk kishin pranuar t’i jepnin pesë mijë euro të cilat ata thonë se prokurori ua ka kërkuar borxh, pasi djalin e kishte të sëmurë.

Sipas Granitit, Hamitaga ia kishte kërkuar të hollat babait të tij, Sadri Paqarrizit, pasi prokurori e kishte dërguar një kositëse bari për ta ndrequr te Sadriu. [Në videon më poshtë pjesa e parë e emisionit të Drejtësia në Kosovo mbi rastin e prokurorit Hamitaga]

“Ka qenë seanca e parafundit kur janë taku para seancës përfundimtare, kur unë e kam marrë dënimin. Ka prit, është marrë vendimi përfundimtar, janë pagu të gjitha obligimet ndaj gjykatës”, kujton Granit Paqarrizi.

Ai tha se pas një muaji ose dy afërsisht, kishte marrë sërish ftesë prej prokurorisë.

“Kur jam shku, zyra numër 9, Bajram Hamitaga pa dit pa kurgjo i thash prokuror e kam një ftesë, tha po urdhno ulu, tha je i akuzum për vrasje të rëndë në tentativë. Edhe më erdh me kesh se mbeta i befasuar, prokuror mos t’u ka përzi me ndonjë tjetër a diçka i thash, jo tha tash ta citoj tha unë”, rrëfeu i akuzuari Paqarrizi.

Prokurori Bajram Hamitaga nuk e pranon se ka kërkuar para nga familjarët e Granitit. Sipas tij kjo është një përpjekje e tyre për ta shpëtuar Granit Paqarrizin nga dënimi.

Ai thotë se asnjëherë nuk u ka kërkuar para atyre. Hamitaga ka deklaruar se akuzat e palës tjetër në rrjetin social që bënë të rinisë hetime dhe ta akuzojë Granit Paqarrizin për të dytën herë.

“Aktakuza ka ndërruar kur kanë ndërruar provat, kur janë paraqit në gjykatë. Unë s’kam pas ku me çu, kujt kam pas me ja lon unë këtë vepër penale të vrasjes së rëndë. A më kish ndjek mua dikush për keqpërdorim të pozitës zyrtare nëse fshihet një vepër e këtij lloji”, thotë Hamitaga.

Sadri Paqarrizi thotë se prokurori u kishte kërkuar pesë mijë euro

Babai i të akuzuarit Granit Paqarrizi, Sadriu tregon për takimet me prokurorin Hamitagën gjatë kohës që prokurori po hetonte djalin e tij. Sadriu thotë se prokurori u kishte kërkuar pesë mijë euro borxh me arsyetimin se e kishte djalin e sëmurë.

Mirëpo ai thotë se kërkesës së prokurorit nuk i është përgjigjur pasi që nuk e kishin ndërmend të jepnin para. Ai thotë se pas kësaj prokurori ia rëndoi veprën djalit të tij duke e akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë.

“Përmes një shokut të vet nuk e di kush ka qenë ai, në telefon tha a je Sadri Paqarrizi, i thash po. Qishtu-qishtu tha prokurori Bajram Hamitaga, që e ka rastin e djalit tan edhe të nipit tan, tha ka kërku tha mu taku tha në ora shtatë në restorant”, tha Sadri Paqarizi.

Ai pretendon se nuk e dinte për çka prokurori po e ftonte të takoheshin.

“Ndodhi krejtësisht e kundërta, tha e kom pas tha djalin smut para nja dy tre dite, tha he-he tha jam mat tha me ardhë me t’i lyp nja pesë mijë euro për me e shëru djalin, tha e kam dit që nuk më ktheni. Unë nuk e di çka ka mendu ai, tash nashta i ka ardhë pak keq me më thanë direkt”, tha Sadri Paqarrizi. [Në videon më poshtë pjesa e dytë e emisionit të Drejtësia në Kosovo mbi rastin e prokurorit Hamitaga]

Ramadan Paqarrizi thotë se kur e ka dëgjuar prokurorin Hamitaga se çka i kishte thënë vëllait të tij Sadriut, e kishte ulur kokën poshtë duke u munduar të bëhej kinse s’po kuptonte se çka po flitej aty.

“E kam pas djalin smut tha mu ka bo 5 mijë euro, kum dashtë tha me ardhë tha te ju mi lyp, mirëpo vetëm shkaku i këtij rasti tha s’kam mujt me ju than”, shpjegoi Ramdani.

Për takimet e familjes Paqarrizi me prokurorin Bajram Hamitaga, tregon edhe gjyshi i të akuzuarit Granit Paqarrizi, Sahit Paqarrizi, i cili thotë se nuk e ka lejuar nipi i tij Graniti t’i jepte para prokurorit, sepse përndryshe do t’ia jepte vetëm që ta shpëtonte nipin.

“Budalla me kon e din se për çka na ka thirr aty neve… nuk i kom dhanë vetëm pse Graniti s’ka pranu kurrqysh se jo pesë mijë, po 50 mijë ia kisha dhanë”, shpjegoi Sahit Paqarrizi.

Prokurori pretendon se takimi me gjyshin e të akuzuarit ishte i rastësishëm, dhe mohon të këtë kërkuar takim me familjarët e Granitit.

“Unë kam shku në [restorantin] Piknik, kur kam hy e kam pa Sahit Paqarrizin me gjithë djalin e vet Ramadan Paqarrizin… Për mua ka qenë takim i rastësishëm, unë nuk i kam thënë kërkujt me i thirr”, tha ai.

“Unë as se kam thirr kërkan, as si kom thonë kërkujt nëse dikush kur kom fol unë me dajën tem në telefon ka mujt mem dëgjue që pasdite takohemi në Piknik edhe ka muj mi thënë në këtë kohë shkoni e pritne prokurorin”, tha Hamitaga.

Granit Paqarrizi e ka akuzuar edhe publikisht prokurorin Hamitaga për ndryshimin e veprës penale

Për ndryshimin e veprës penale, Granit Paqarrizi e ka akuzuar edhe publikisht prokurorin Hamitaga në seancën gjyqësore duke ia përmendur se ai ua ka kërkuar pesë mijë euro.

“Publikisht i kam thënë Xheladin Osmanit kjo seancë është tuj shku me anime kjo seancë është tuj shku e devijuar. Arsyeja kryesore është pse ky prokurori i nderuar nuk i ka marrë pesë mijë euro që i ka kërkuar”, tha Graniti.

“I thash për këtë është duke i marrë inspektorati, për këtë punë është lajmëruar tri herë ZPD-ja, për këtë punë po të informoj edhe ty. Prokurori mbet i shokuar, gjykatësi e vazhdoj procesin, është shkruar në procesverbal deklarata ime vetëm pasi ka dashur prokurori vet”, vazhdoi Paqarrizi.

Ai tha se gjykatësi i rastit ka hezituar t’i evidentojë deklaratat e tij për mitmarrje të përmendur në seancë dhe deklaratat e prokurorit Hamitaga nuk janë shënuar në procesverbal.

Prokuroi Hamitaga, lidhur me akuzat e të akuzuarit Granit Paqarrizi në seancën gjyqësore, thotë se nuk e ka penguar gjyqtarin që të shënojë në procesverbal akuzat për mitmarrje.

“I kam thënë mos je gabim se ndoshta janë 50 mijë ose 100 mijë. Edhe ashtu i kam thënë sepse unë nuk e komprometojë veten për kurgjo, se unë e kam rrogën 1500 euro. Nuk i kemi po ashtu i kam thënë. Po është e vërtetë që i kam thënë“, ka thënë Hamitaga.

Prokurori mohon që ta ketë dërguar shoferin e tij për t’u takuar me familjen e të akuzuarit

Në gjithë këtë, ishte përfshirë edhe shoferi i prokurorisë, i cili dyshohet luante rolin e sekserit të prokurorit Hamitaga. Ai pas seancës ku Granit Paqarrizi e kishte akuzuar publikisht prokurorin për mit-marrje kishte takuar Sadri e Granit Paqarrizin dhe në emër të prokurorit kishte kërkuar “armëpushim”. E gjithë kjo ishte filmuar nga kamerat e sigurisë në lokalin ku ishte mbajtur takimi.

Prokurori Bajram Hamitaga e ka mohuar që ta ketë dërguar shoferin e tij Luan Delili  për t’u takuar me familjen e të akuzuarit Granit Paqarrizi.

“Për mua nuk ka komunikuar asgjë. Mua as nuk më ka thënë që me shkuar, as që i kam thënë shko komuniko, as s’i kam thënë shko kërko ti të holla, as se ka ardhë mem thonë mu që ata po donë me u taku me ty, mue Luani nuk më ka thënë asgjë. Unë nuk e kam autorizuar me fol kurgjo nëse ka fol diçka le ta mban përgjegjësinë për veti….nuk e kam dërgua unë shoferin Luan Delili tek familja Paqarrizi me kërkua kurrfarë paqe”, ka thënë Hamitaga.

Shoferi i prokurorisë nuk pranoi të komentojë rreth takimit të tij me familjen e të akuzuarit

Në anën tjetër, shoferi i prokurorisë Luan Delili nuk ka dashur të komentojë rreth takimit të tij me familjen Paqarrizi, ku ai flet si i dërguar i prokurorit Bajram Hamitaga.

Familja e të akuzuarit Granit Paqarrizi e akuzon prokurorin se gjatë kohës që po hetonte dalin e tyre kishte keqpërdorur pozitën e tij dhe kishte rregulluar pa para dy herë kositëset e barit tek Sadri Paqarrizi. Paqarrizët e akuzojnë prokurorin Hamitaga se e kishte marrë edhe një çadër që përdoret për kopsht, por të njëjtën e kishte kthyer sërish.

Prokurori Hamitaga e ka pranuar se kositësen e barit e ka rregulluar një herë në punëtorinë e Sadri Paçarizit mirëpo, sipas tij, kjo ka ndodhur shumë para se të ngarkohej me lëndën e tashmë të akuzuarit Granit Paçarizi. Ai thotë se nuk kishte paguar asnjë cent për rregullimin kositëses pasi që, sipas tij, Sadriu kishte porositur punëtorët tjerë që mos t’i merrnin asgjë.

Hamitaga e ka pranuar edhe marrjen e çadrës nga familja Paqarrizi, por të njëjtën thotë se e ka kthyer një ditë pas, pasi nuk i kishte përshtatur për oborrin e tij.

“Kjo ka qenë para rastit, nuk ka qenë kjo, por ka qenë një verë tjetër bile. Po kemi qenë aty në takim edhe një çadër kur e pashë… edhe e kom kthye të nesërmen”, tha prokurori Hamitaga, duke shtuar se as për çadrën nuk ishin marr vesh për çmimin me Sadri Paqarrizin.

Ndaj prokurorit Hamitaga, i cili tashmë është supenduar, janë ngritur edhe hetime penale nga Prokuroria e Gjilanit.