Presidenti Thaçi priti një delegacion me deputetë austriakë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur një delegacion me deputetë të Parlamentit të Austrisë, të kryesuar nga Stefan Schnöll.

Në këtë takim u bisedua për bashkëpunimin bilateral ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, për liberalizimin e vizave, për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për procesin e integrimeve të Kosovës dhe rajonit në Bashkimin Evropian.

Presidentin Thaçi në këtë takim tha se po bëhen përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje paqësore me palën serbe në Bruksel.

“Është shumë vështirë të gjejmë kompromis, por nuk është e pamundshme. Ky kompromis duhet të arrihet për hir të paqes, stabilitetit dhe së ardhmes së përbashkët euroatlantike të qytetarëve dhe vendeve tona”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndërsa deputetët e parlamentit austriak theksuan se vetëm përmes dialogut dhe vizionit evropian mund të forcohet paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.

Presidenti Thaçi duke falënderuar deputetet austriak tha se fal përpjekjes së shteteve mike të Kosovës, qytetarët tanë së shpejti do të lëvizin pa viza, të lirë në zonën Shengen, ku do të ndjehen të barabartë me të gjithë brenda familjes së madhe evropiane.