Zbulohet shtatorja e presidentit Ibrahim Rugova në Pejë, Abdixhiku: Republika dhe Rugova janë një

Në 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, është zbuluar të shtunën më 17.02.2024 në Pejë shtatorja e presidentit Ibrahim Rugova.

Rugova vlerësohet prej figurave që kontribuoi për Pavarësinë e Kosovës.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se me shtatoren e Rugovës po nderohet Republika e Kosovës.

Ai tutje është shprehur se LDK-ja, si familje e tij politike, është përherë krenare me të parin e saj historik, idetë dhe vizionin e tij.

“Në këtë të ditë të bekuar, presidenti Rugova ashtu siç ishte i skalitur përgjithmonë në zemrën e çdo shqiptari, po përurohet i skalitur në bronz në qytetin ku e ka përfunduar shkollimin e mesëm. Në vizionin e tij ne edhe sot gjejmë rrugën drejt integrimit euroatlantik dhe marrëdhëniet me shtetet aleate. Me përurimin e shtatores në Pejë po nderojmë Republikën pasi Republika dhe Rugova janë një”- ka thënë Abdixhiku.

Ndërsa, i biri i i presidentit Rugova, Uka ka thënë se kjo është ditë e veçantë për familjen e tyre.

“Kjo ditë e cila shënon edhe përvjetorin e njohjeve formale të shteteve për Kosovën, është ditë e veçantë për familjen tonë. I uroj qytetarët e Pejës për këtë shtatore të cilën do ta gëzojnë. Zoti ju bekoftë të gjithëve, por mbi të gjitha i bekoftë aleatët e Kosovës, SHBA-në dhe shtetet evropiane”, ka thënë ai. /Telegrafi/