Gabriel Escobar - Foto: KALLXO.com

Escobar: Çdo gjë që kemi bërë në vitin e fundit ka qenë në favor të Kosovës

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 14.03.2024, tha se çdo gjë që kanë bërë në vitin e fundit ka qenë në favor të Kosovës dhe se do të vazhdojnë ta bëjnë këtë.

“Më lejoni të ju tregoj diçka, çdo gjë që kemi bërë në vitin e fundit ka qenë në favor të Kosovës. Pra menjëherë pas Ohrit, kemi përkrahur kandidaturën tuaj për Këshill të Europës, kemi përkrahur proceset tuaja demokratike, përfshirë zgjedhjet në veri. Qëndruam me ju pas sulmeve të 24 shtatorit, e kemi marrë vendimin që të ju ofrojmë ‘Javelin’, pra më shpjegoni se si është e pabalancuar kjo [qasja e SHBA-së], nuk është. Çdo gjë që kemi bërë ka qenë për Kosovën dhe do ta vazhdojmë ta bëjmë këtë. Në ndërkohë shpresojmë që Kosova të dëgjojë shqetësimet tona. Nuk duhet të jetë e vështirë, pasi këta janë qytetarë të Kosovës” – tha ai i pyetur për kritikat për qasje të pabalancuar ndaj Kosovës.

Escobar shtoi se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kosovës tash për tash kanë disa sfida, sipas tij “për shkak të trajtimit të minoritetit serb”.

“Duhet të pranoj se marrëdhëniet tona kanë disa sfida tash, e them sinqerisht që këto sfida janë për shkak të trajtimit të minoritetit serb dhe është për të ardhur keq që po kalojmë nëpër këtë, por dinari,  Rregullorja e Bankës Qendrore, ka shkaktuar vështirësi për disa qytetarë të këtij vendi dhe jemi të shqetësuar” – u shpreh Escobar.

Gabriel Escobar tha tutje se sot pati një diskutim shumë të hapur me kryeministrin Kurti, duke theksuar se SHBA mbetet partneri më i përkushtuar për Kosovën.

I dërguari special shtoi se do vazhdojnë të punojnë në çështjen e dinarit por tha se mendon se është çështje emergjente humanitare që duhet adresuar menjëherë.

“Shpresoj që Qeveria është e përgatitur të jetë fleksibile në këto diskutime në dialog të martën. Në ndërkohë e kam përgëzuar kryeministrin për vendimin që ka marrë për (Manastirin e) Deçanin. Ishte vendim i vështirë, por ishte i duhur dhe e mirëpres përkushtimin për sundim të ligjit dhe vendimin e marrë nga Gjykata Kushtetuese. Do të kemë më shumë [takime] nesër dhe do të largohem nga Kosova nesër pasdite” – njoftoi Escobar.

Ai shtoi se patën një diskutim shumë të mirë dhe njoftoi se Kurti i premtoi se do t’i shohë disa nga propozimet që ia ka bërë ai atij sot.

“E bëra shumë të qartë që askush nuk mund të dëgjojë historitë nga disa prej pjesëtarëve më të pambrojtur të këtij komuniteti të cilët janë  personat me aftësi të kufizuara, pensionistët dhe studentët. Jam prekur nga rrëfimet e tyre se si vendimi i ka prekur ata. Kryeministri e pranoi këtë dhe premtoi se do të shohë disa nga propozimet që ia kam bërë atij sot” – tha Escobar.

Escobar në këtë takim është shoqëruar nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Para takimit me Kurtin, ai ka qëndruar në qytetin e Pejës nga ku ka deklaruar se ka shkuar për të parë nga afër se sa po ndikohet komuniteti serb nga vendimi i BQK-së për dinarin.

Ndërsa ka thënë se do të punojë me Qeverinë e Kosovës për të gjetur zgjidhje urgjente.

Escobar po zhvillon një vizitë dyditore në Kosovë për të diskutuar mbi çështjen e Rregullores së Bankës Qendrore dhe procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Zëvendësndihmës Sekretari amerikan është takuar me presidenten Vjosa Osmani më 13.03.2024.

Escobar e ka quajtur vendim të rëndësishëm atë të Qeverisë kosovare për të urdhëruar Agjencinë Kadastrale që Manastirit të Deçanit t’i jepen pronat sipas vendimit të Kushtetueses.

“Vendimi i sotëm për Manastirin, sa ishte i vështirë është edhe i rëndësishëm, dhe i falënderoj institucionet për këtë hap” – nisi fjalën e tij Escobar në konferencën e përbashkët për media.

Para nisjes në Kosovë, në një konferencë online, zyrtari amerikan e ka quajtur vendim “katastrofal” dhe “jo kompetent”, rregulloren e BQK-së.

Escobar arrin në Qeveri, takohet me Kurtin