Daut Haradinaj | Foto: Facebook

Presidenti e Shefi i UNMIK-ut Reagojnë Ndaj Deklaratës së Daut Haradinajt

Ditë në parë, Daut Haradinaj në një intervistë për TV Dukagjini javën e kaluar kishte thënë se nëse Ramush Haradinaj ekstradohet në Serbi atëherë situata do të eskalojë, madje deri në luftë.

“Mund të na fusin në luftë, asgjë tjetër. Për të tjerët nuk e di, por për veten po. Nëse gabojnë dhe e bëjnë një gjë të tillë (ekstradojnë Ramush Haradinajn) duhet të jenë të gatshëm për tema serioze. Nëse e duan e Kosovën pa serbë, atëherë le të bëjnë hajgare”, ka deklaruar Daut Haradinaj.

Por në reagimin e tij, Presidenti Thaçi tha se për institucionet dhe popullin e Kosovës, deklaratat kërcënuese ndaj etnive të tjera joshqiptare “nxisin mllef, urrejtje dhe hakmarrje, duke na kthyer në të kaluarën e hidhur”.

“Për më tepër, bllokojnë dialogun për normalizim të marrëdhënieve, vëjnë në pikëpyetje pajtimin e domosdoshëm dhe perspektiven e Kosovës evropiane dhe shumetnike”, tha Thaçi.

“Nuk kemi lejuar një gjë të tillë as gjatë luftës dhe nuk do të lejojmë që të ndodhë as tani, sepse askush nuk e dëshiron”, tha Thaçi.

Reagim më të ashpër ka bërë shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, i cili ka kërkuar nga drejtësia t’i hetojë këto deklarata.

“Deklarata e fundjavës nga një deputet i Kosovës, i cili përdor gjuhë të urrejtjes për të kërcënuar me pastrim etnik është e papranueshme dhe është shkak për një shqetësim serioz. U bëj thirrje të gjithë liderëve që ta dënojnë këtë deklaratë, ndërsa autoriteteve gjyqësore të ndërmarrin hetimin e nevojshëm për këtë incident dhe të marrin veprime në përputhje me ligjin e Kosovës”, tha Tanin.