Foto: Ilustrim

Policia Serbe ndalon zyrtarin e Qeverisë së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka dënuar ndalimin e Nebojsha Jakovljeviqit në Merdare nga autoritetet e Serbisë.

Përmes një postimi në Facebook, ai e ka cilësuar këtë vendim si “papranueshëm dhe të dënueshëm”.

Jakovljeviq është këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës dhe pjesë e partisë Partia e Pavarur Liberale (SLS).

“Qeveria e Kosovës dënon ashpër këtë formë të presionit dhe kërcënimit nga ana e Serbisë për qytetarët e komunitetit serb të Kosovës. Ky veprim, nuk është i vetmi dhe as i izoluar, por është pjesë e një fushate të orkestruar të pushtetit serb, për ta kërcënuar drejtpërdrejt sigurinë e vendit tonë”, ka thënë kryeministri i Kosovës.

Përveç tjerash, Haradinaj u ka bërë thirrje zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe bashkësisë ndërkombëtare që t’i bëjnë presion Beogradit për të ndaluar menjëherë veprimet e tilla kundër qytetarëve të Kosovës.