Cremonia e gradimit të majorëve policorë. Foto: Policia e Kosovës

Policia e Kosovës me 27 Majorë të Rinj

Sot u mbajt ceremonia e gradimit të 27 zyrtarëve policorë në gradën Major.

Pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, Shpend Maxhuni dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj.

Maxhuni tha se Policia e Kosovës është dëshmia kryesore që tregon nivelin profesional dhe përkushtimin e vazhdueshëm drejt fuqizimit të zbatimit të ligjit, me qëllim të shërbimit drejt qytetarëve si dhe ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend.

“Ne do të punojmë së bashku, të vetëdijshëm që e ardhmja do të sjellë sfida të reja, rritja dhe kompleksiteti i të cilave do të ndryshojë vazhdimisht, por unë jam i bindur që çdo ditë ju do të përballeni me to, do t’i përmbushni ato me përkushtim dhe profesionalizëm sepse arritjet dhe sukseset do t’ju bëjnë më të fortë”, tha Maxhuni.

Ndërsa Ministri i MPB-së Sefaj tha se Policia e Kosovës me përkushtimin dhe punën e saj të vazhdueshëm po dëshmon profesionalizëm të lartë, po tregon se është ndër institucionet më të rëndësishme të zbatimit të ligjit dhe ofrimit të sigurisë ndaj qytetarëve dhe vendit.

Gradimit të zyrtarëve policorë i ka paraprirë suksesi që ata kanë treguar në testimet për gradën major dhe përfundimi me sukses i trajnimit “menaxhimi i lartë ekzekutiv” në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.

Zyrtarët policorë të graduar në gradën major do të shërbejnë nëpër pozita të ndryshme të Policisë së Kosovës.

Gjatë ditës së sotme, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, QKSS, publikoi hulumtimin i cili e nxjerr Policinë e Kosovë, bashkë me FSK-në, si institucionet më të besueshme në vend.

http://kallxo.com/qkss-policia-e-kosoves-dhe-fsk-institucionet-te-besueshme/