Plagoset Drejtori i Qendrës së Shëndetit Mendor në Pejë

Plagosjen e konfirmoi mjeku kujdestar në Spitalin e Pejës Bujar Idrizaj.

“E kam pranu një pacient rreth orës 7:00 i cili si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka marrë plagë në këmbë. Pacienti është jashtë rrezikut për jetë dhe pas tretmanit mjekësor është lëshuar në shtëpi,” tha mjeku Idrizaj.

I pyetur nga KALLXO.com se a bëhej fjalë për plagosjen e drejtorit Skender Kandiq, mjeku Idrizaj u përgjigj: “Po, po, ai është”.

Plagosjen e një personi në afërsi të Qendrës së Shëndetit Mendor e konfirmoi për KALLXO.com edhe Teki Syla, zëvendëskomandant i Stacionit Policor në Pejë.

“Sot para orës 7:00 te Qendra e Shëndetit Mendor si pasojë shtënave me armë zjarri, një person është plagosur. Në konsultim me prokurorin e shtetit rasti është cilësuar vrasje në tentativë dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm,” tha Syla.

Sipas policisë ende nuk dihen motivet e kësaj plagosjeje.

Policia e Pejës në një komunikatë të saj dha pastaj detaje në lidhje me plagosjen e sotme të drejtorit Skender Kandiq.

Policia shpjegoi se si ndodhi plagosja.

“Shtetasi i Kosovës i nacionalitetit boshnjak S.K. (1955) kishte shkuar në vend pune në Qendrën e Shëndetit Mendor në Pejë, aty kishte shkuar edhe i dyshimti shtetas i Kosovës i nacionaliteti shqiptar  N.Q.(1956), i cili papritmas fillon të shtëna me armë zjarri-revole disa herë në drejtim të viktimës (S.K.). Viktima arrin të fshihet me një vend në ketë qendër, por  ishte i plagosur në këmbën e majtë në pjesën e shputës,” thuhet në komunikatën e policisë.

Policia njofton se më pas i dyshuari për të shtënat drejt drejtorit vrau veten.

“I dyshimti arrin të largohet nga vendi i ngjarjes dhe posa arrin në shtëpinë e tij në Rrugën ’Hakif Peja’ i merr jetën vetes-kryen veprën e vetëvrasjes me armë zjarri,” thuhet në komunikatë.

Një ngjarje tjetër e rëndë në Pejë ndodhi më 9 qershor kur vdiq pas plagëve të marra nga goditjet me thikë talenti i futbollit Idriz Berisha

http://kallxo.com/vritet-thike-nje-ri-ne-peje/

Para se të vritej futbollisti i ri, në Pejë për 16 muaj nuk kishte ndodhur ndonjë vrasje.

http://kallxo.com/gjashtembedhjete-muaj-pa-vrasje-ne-peje/