Të shtëna në Prishtinë, policia konfiskon një armë zjarri

Policia e Kosovës ka konfiskuar një armë dhe ka ndaluar një person të dyshuar, pas disa të shtënave me armë në Prishtinë.

Sipas policisë, më 29.03.2024, rreth orës 14:30, një njësi policore deri sa po monitoronte trafikun në rrugën “Shpëtim Robaj”, kanë dëgjuar të shtëna me armë dhe menjëherë janë drejtuar në drejtim nga vinin të shtënat, ku kanë hasur në dy persona me një motoçikletë.

Gjatë kontrollit te njëri nga personat, policia ka gjetur një revole me një karikator.

“Në vendin e ngjarjes (aty ku ishin shkrepur plumbat), policia ka gjetur një kuti të zbrazur të municionit dhe disa gëzhoja të armës (dyshohet të jenë të armës së gjetur tek personi i ndaluar)”- thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, rasti do të trajtohet në koordinim me organet e drejtësisë.

Foto: PK.