Personat e Verbër Përballen me Vështirësi në Tërheqjen e Porosive në Doganë

Personat e verbër kanë beneficione të cilat u janë garantuar me ligj kur është fjala te tërheqja e porosive nga jashtë, por Gëzim Rexha i cili i takon këtij komuniteti thotë se po përballet me telashe kur po bën porosi.

Ai thotë se kur personat me këto beneficione dëshirojnë të fusin në Kosovë ndonjë porosi që duhet të kalojë nga dogana i kanë dy mundësi, të mos paguajnë doganë por të paguajnë shpedicion, apo të paguajnë doganë dhe të mos paguajnë shpedicion.

Ai hallin e ka te pajisjet që i duhen atij për të zhvilluar aktivitetet e përditshme, si ora e brajlit dhe monitori i brajlit për të cilat pajisje thotë se i është dashur të paguajë dy herë, pavarësisht se ligji e liron nga detyrimet.

Gëzimi tregon për përvojën e tij kur ka shkuar për të marrë monitorin e Brajlit që i shërben atij ta përdorë telefonin duke lexuar në alfabetin Brajl.

“Pagova për pajisjen, pagova për postën më të shpejtë dhe më të kushtueshme dhe pastaj më njoftuan nga posta që e paskan ndalë në doganë dhe se duhet të shkoj ta marr në Aeroport. Mu desht të marr taksi dhe shkova në aeroport.Në Aeroport kur shkova thanë nuk ka mundësi është shumë  e shtrejtë kjo nuk lirohet. Isha i sigurtë që kjo lirohet, më tha shko të agjenti doganor” thotë Rexha për KALLXO.com.

Ai thotë se procedurat me agjentin doganor kanë zgjatur për një javë dhe pas një jave ka paguar për ta marrë pajisjen.

Herën e dytë ai ka marrë një orë dore të Brajlit për të cilën ka paguar doganë pasi që nuk ka dashur të shkojë të Agjenti Doganor për të kaluar në procedurat e njejtë të mundimshme.

“Njësoj më erdhi njoftimi nga Posta kësaj radhe nga Posta e Kosovës se duhet të shkosh në doganë dhe në këtë rast dogana qenka një zyre në Fushë Kosovë. Shkova aty megjithëse këto janë në listë e artikujve që nuk paguhet doganë, prapë shkova dy herë me taksi dhe këmbëngula që për këto nuk paguhet doganë më thanë që nëse është ashtu nuk të lirojmë ne por të liron agjenti doganor dhe vendosa ta paguaj doganën sepse më thua kot që lirohet një artikull nga dogana kur ti detyrohesh të shkosh disa herë nga agjenti ta paguash agjentin doganor që ai të liroj nga tarifat doganore”, tha ai.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës Adriatik Stavileci sqaroi rastet kur Rexha ka marrë produktet e porositura.

Sipas tij, për rastin e parë kur Rexha kishte porositur monitorin e Brajlit, dogana nuk ka të drejtë të ndërhyjë në aktivitetet biznesore të agjentëve doganorë.

“Rasti i dytë, kur ky person importon është rasti  i importit të një orë dore Braille pala paguan 30.36 euro dhe kjo pasi qe pala nuk ka dashur te shkojë tek Agjenti Doganor dhe te përpilojë Dokument Unik Doganor (procedurë të rregullt) me të cilin do te lirohej prapë sikur herën e parë nga obligimet doganore”, tha Stavileci.

Sipas tij, edhe në këtë rast në doganë i është thënë palës që të shkojë te agjenti doganor të vazhdojë me procedurë të rregullt doganore në mënyrë që ta fitojë të drejtën e lirimit. Por Stavileci thotë se Rexha ishte arsyetuar se “kjo i merr kohë dhe prapë duhet t’i paguajë aq mjete Agjentit”.

“Nëse nuk do ta lejonim, do të akuzoheshim se po krijojmë me tepër shpenzime për personin duke insistuar në procedurë te rregullt”, tha Stavileci.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me disa shpediterë të cilët nuk kanë dashur të komentojnë këtë procedurë.

Vitin e kaluar KALLXO.com raportoi për vështirësitë e këtyre personave për të marrë librezën e verbërisë në Shoqatën e të Verbërve, kjo pasi që atyre u kushtëzohej ajo me pagesën e anëtarësisë.

http://kallxo.com/te-verberve-u-kushtezohet-libreza-e-verberise-me-pagesen-e-anetaresise/