Kontrabandë me mallra, Policia ndalon të dyshuarin që tentoi të ikte në Serbi

Policia e Kosovës ka njoftuar se më 20.03.2024 ka ndaluar një rast të kontrabandimit me mallëra në afërsi të rrugës Preshevë – Gjilan, në dalje të fshatit Pasjan.

Siç bëhet e ditur, fillimisht njësitet e përbëra nga Policia e Kosovës dhe Dogana, kanë tentuar të ndalojnë veturën me targa të Serbisë, drejtuesi i së cilës nuk i ka zbatuar urdhërat për ndalje dhe ka tentuar të kthehet në drejtim të Serbisë.

Por në dalje të fshatit Pasjan kanë arritur të ndalojnë veturën të cilën e drejtonte i dyshuari me inicialet Q.H., dhe pasagjeri Y.Sh., që të dy nga Presheva.

Gjatë kontrollit, në veturë janë gjetur disa thasë me nxehëse të ndryshme për bojlerë dhe shporet elektrikë, përkatësisht janë kapur 934 copë me origjinë nga Serbia dhe me vlerë të tregut mbi 10 mijë euro.

“Lidhur me rastin, të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit drejtuesi i automjetit ndalohet për 48 orë, malli i kontrabanduar dhe automjeti sekuestrohet dhe  dërgohen në terminalin doganor-Dheu i Bardhë” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.