Foto-ilustrim

Përshtatja ndaj Shumicës po Pengon Superiorët

Për Thaçin promovimi gjithëpërfshirës në arsimin e lartë në Kosovë po bën që studimet për studentët mbimesatarë dhe superiorë të bëhen të papërshtatshme.

Thaçi mori pjesë në diskutimin e organizuar nga Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në lidhje me sistemin arsimor që i duhet Kosovës.

Thaçi më tutje tha se edhe pse Ministria e Arsimit thotë se ndjek modelin evropian në këtë fushë, ajo sipas tij nuk është duke e bërë këtë.

“Kosova ka 20 institucione të arsimit të lartë për 1 milion banorë, ndërkohë që mesatarja e institucioneve të BE-së është 7 institucione për 1 milion banorë. Pra, ma shumë se dyfishin e BE-së na e kemi tejkaluar, imagjinoni! Në 100 mijë banorë Kosova ka 6 mijë e 669 studentë, ndërsa BE-ja ka 3 mijë e 987 studentë, gati  dyfish më pak se Kosova,” tha Thaçi.

Sipas Thaçit këtë gjendje në arsimin e lartë po e vuajnë studentët me inteligjencë mbimesatare.

“Kemi liberalizu kriteret, kemi vendos me pranu sa më shumë që mundemi studentë. Tani sigurisht që aty ka të dobët, ka mesatarë,  ka mbimesatarë, ka superiorë.  Të vetmit që pësojnë prej këtij muhabeti janë superiorët apo mbimesatarët, sepse ata të tjerët janë shumicë dhe rrjedhimisht studimet duhet me ju përshtat shumicës,” tha ai.

Thaçi këtu e gjen arsyen pse Kosova nuk ka shkencëtarë, për shkak se të mirët dhe superiorët i lënë studimet pasi bëhen të mërzitshme për ta.

Gjithashtu sipas tij, superiorët nuk mund të gjejnë as mentor për ndonjë temë e cila sjell risi për shkencën duke shtuar se po prodhohen të dobëtit dhe po hyjnë në sistem.

Në Qendrën Kulturore të BE-së ka qenë e ftuar edhe Arlinda Gashi- Bajgora, zëvendësudhëheqëse në Programin për Arsim Themelor të USAID-it.

Ajo ka treguar se motoja e programit të tyre ka qenë zhvillimi i shkathtësive relevante apo shkathtësive të shekullit XXI te nxënësit së bashku me komunitetin.

“Programi ynë deri më tani ka arritur për 5 vjet e gjysmë të trajnojë 24 mijë e 605 mësimdhënës dhe ka pasur 23 kurse të akredituara,” tha ajo.

Arsyeja se si për një kohë kaq të shkurtër sipas saj janë trajnuar kaq shumë mësimdhënës është se fillimisht kanë përgatitur një ose dy mësimdhënës për trajnerë, pastaj ata janë kthyer në shkollat e tyre dhe kanë trajnuar kolegët e tyre.

Shkumbin Brestovci  nga Hackerspace dhe Innovation Centre Kosovo foli për mungesën e praktikës në sistemin arsimor të Kosovës.  Edhe praktikën e obligueshme sipas Brestovcit e bëjnë vetëm formalisht.

Rekomandim sipas tij është që të mos lihet asnjë nxënës ta kalojë shkollën pa e bërë një semestër praktik. Për shkak të numrit të madh të studentëve, sipas tij, praktika do të jetë shumë vështirë e realizueshme.