Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci. FOTO: KALLXO.com

Ministrja Nagavci në Bruksel, synon bashkëpunim ndërkombëtar në kërkim dhe inovacion

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, është duke zhvilluar vizitë zyrtare në Bruksel. Nagavci bashkë me kryetaren e Këshillit Shetëror të Shkencës në Kosovë, Myzafere Limani, kanë marrë pjesë në dialogun shumëpalësh ndërministror mbi parimet dhe vlerat për bashkëpunim ndërkombëtar në kërkim dhe inovacion.

Pjesëmarrjen e Kosovës në këtë tryezë, Nagavci e ka vlerësuar si privilegj dhe mundësi të rëndësishme për t’u njohur me politikëbërës të së njëjtës fushë.

“Ministrja Nagavci tha se pjesëmarrja në këtë tryezë është vërtetë një privilegj, po aq edhe e drejtë, duke qenë se diskutimi është i fokusuar në vlerat dhe parimet e përbashkëta në kërkim dhe inovacion dhe gjithashtu një shans i madh për t’u njohur me politikëbërës të së njëjtës fushë, nga të gjitha kontinentet” – thuhet në njoftimin e MASHTI-t.

Sipas Nagavcit, si pjesë e kësaj nisme të dialogut shumëpalësh do të ketë seminare me tema të caktuara.

“Ndër të tjera Nagavci tha se, si pjesë e kësaj nisme të dialogut shumëpalësh, do të ketë seminare mbi lirinë e kërkimit akademik, etikën dhe integritetin, barazinë gjinore dhe gjithëpërfshirjen, dhe më e rëndësishmja, partneritetet të barabartë me vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme” – kanë njoftuar nga MASHTI.

Më këtë rast, Nagavci e ka informuar Presidencën e Këshillit të BE-së se Kosova është e përkushtuar në kompletimin e bazës ligjore e cila siguron llogaridhënie dhe përmirësim të cilësisë në arsimin e lartë, avancim të bazuar në performancë dhe mekanizma të fortë për integritetin akademik, me fokus të veçantë në shkencë dhe inovacion.

Ajo gjithashtu ka përmendur veprimet e ndërmarra nga ana e Qeverisë së Kosovës ndaj Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA).

“Ministrja Nagavci gjithashtu ka folur edhe për veprimet të cilat i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në fuqizimin e Agjencisë e Kosovës për Akreditim, duke miratuar një ligj që garanton pavarësinë institucionale dhe financiare të kësaj Agjencie, e cila tani është anëtare e asociuar e ENQA” – kanë thënë nga MASHTI.

Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës në seancën plenare të datës 14.02.2024 ka votuar emërimin e tre anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë për Akreditim të Kosovës (AKA).

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC), është organ politikbërës dhe vendimmarrës i AKA-së, i cili në përgjithësi i vlerëson institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.

Nga 85 deputetë prezentë në seancën plenare, me 63 vota për, asnjë abstenim, asnjë kundër janë votuar këta anëtarë: Mirlinda Batalli, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës nga fusha e drejtësisë; Avni Berisha, profesor nga shkencat e natyrës në Universitetin e Prishtinës dhe Jetmir Haxhibeqiri, profesor në Universitetin e Ghentit (Belgjikë), nga fusha e shkencave kompjuterike.

Tutje, Nagavci në Bruksel i ka kushtuar theks të veçantë anëtarësimit të Kosovës në programin “Horizon Europe”, i cili është programi kryesor financues për kërkim dhe inovacion i BE-së.

Përveç kësaj, ajo ka folur edhe për lansimin e Sistemit Informativ të Kosovës për Kërkime Shkencore (KRIS), një platformë e hapur me të dhëna për kërkimin dhe inovacionin nga shkencëtarët kosovarë brenda dhe jashtë vendit, si dhe për miratimin e Programit të ri Kombëtar të Shkencës 2023 – 2028.

Si përfundim, Nagavci është shprehur mirënjohjëse për mbështetjen e BE-së, UNICEF, UNDP, Bankës Botërore, USAID, duke thënë se mirëpret me padurim forcimin e bashkëpunimit në fushën e kërkimit dhe inovacionit.