Takimi mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, Foto: Hashim Thaçi/Facebook

Për dialogun me Serbinë, Thaçi bisedon me presidentin shqiptar

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar një drekë pune në Durrës me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat.

Thaçi po ashtu ka thënë se gjatë takimit është diskutuar edhe për zhvillimet në rajon, me theks të veçantë për dialogun ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

“Marrëveshja eventuale ndërmjet dy vendeve do të shënonte njohjen reciproke dhe përshpejtimin e integrimeve evropiane të Kosovës dhe të Serbisë. Ishte konstatim i përbashkët se arritja e marrëveshjes Kosovë – Serbi do të sillte më shumë stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në tërë Ballkan Perëndimor”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Nga ana tjetër edhe presidenti i Shqipërisë ka thënë se rritja e mëtejshme e shkëmbimeve të gjithanshme midis dy vendeve është një prioritet i përbashkët.

“Forcimi i stabilitetit rajonal dhe perspektivës europiane të rajonit është qëllim i përbashkët”, ka shkruar Meta në profilin e tij në Facebook.

Presidenti shqiptar ka deklaruar se është me rëndësi vazhdimi i dialogut për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

“Që do të garantojë jo vetëm njohje reciproke midis dy vendeve si edhe të ardhmen e tyre në BE por dhe një bashkëjetesë të përhershme midis shqiptarëve e serbëve në interes të gjeneratave të ardhshme”, ka përfunduar ai.