Raporti i Komisionit Europian: Sulmi në Banjskë të mos shërbejë për devijim nga dialogu

Në raportin e Komisionit Europian për Kosovën për vitin 2023 thuhet se sulmi në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku një polic u vra, një u plagos e një u lëndua, është kriza më e rëndë që ka ndodhur në periudhën e raportimit për dialogun Kosovë-Serbi.

Derisa, theksohet se autorët e sulmit duhet të kapen e Serbia të bashkëpunojë plotësisht, raporti potencon që sulmi nuk duhet të shërbejë si shkak për të devijuar vëmendjen nga dialogu.

“Kriza më e rëndë gjatë periudhës së raportimit ndodhi më 24 shtator 2023, kur Policia e Kosovës u sulmua nga individë të armatosur rëndë, të cilët u zunë në mes të një operacioni të madh për kontrabandë armësh, duke lënë një oficer policie të vdekur dhe tre të plagosur”- thuhet në raport.

“Autorët e sulmit duhet të kapen dhe të dërgohen përpara drejtësisë me shpejtësi, dhe pritet që Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm në këtë drejtim. Sulmi nuk duhet të shërbejë si shkak për asnjërën palë për të devijuar vëmendjen nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja”- theksohet tutje në raport.

Raporti përmend edhe faktin se ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, mori përgjegjësinë për sulmin, mënyrën se si Serbia e liroi atë duke i konfiskuar pasaportën si dhe shtimin e forcave ushtarake nga Serbia në kufirin me Kosovën.

Raporti bën thirrje që Kosova dhe Serbia të bëjnë përpjekjet e qëndrueshme për ulje të tensioneve, si dhe të sigurojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur, me pjesëmarrje aktive të serbëve të Kosovës.

Raporti po ashtu flet edhe vendosjen e kryetarëve shqiptarë në objektet komunale në katër komunat në veri kundër rekomandimit të qartë që ishte bërë nga komuniteti ndërkombëtar e që më pas kishte nxitur protesta nga serbët të cilat u kthyen në dhunë kundër ushtarëve të KFOR-it, qytetarëve e mediave.

Ne këtë raport është dhënë edhe kronologji për nisjen e krizave në veri të Kosovës që nga vendimi i Qeverisë për konvertim të tabelave të makinave që lëshon Serbia deri të braktisja e institucioneve nga serbët lokalë si dhe barrikadat që u vunë disa herë në rrugë në këtë pjesë të vendit.

Në raport potencohet se Kosova pritet të fillojë procesin që çon në krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe bazuar në propozimin europian që iu prezantua palëve më 21 tetor 2023 dhe Serbia pritet të mbështesë këtë proces dhe të fillojnë të përmbushin paralelisht detyrimet e tyre kryesore nga Marrëveshja.