Albin Kurti dhe Rene Troccaz Foto: ZKM

Kurti takon emisarin francez Troccaz, diskutojnë për sigurinë e dialogun Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim përfaqësuesin e posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, në këtë takim të parë me kryeministrin Kurti në Prishtinë u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Francës, bashkëpunimin ekonomik, qeverisjen dhe zhvillimet e fundit në vend, situatën e sigurisë pas sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dritë e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian dhe zbatimit të Marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj.

Sipas komunikatës, kryeministri Kurti ka falënderuar mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ka dhënë Kosovës që para çlirimit e deri më sot, ndërkohë që e njoftoi me rezultatet e deritanishme të qeverisjes dhe progresin e shënuar në rrafshin demokratik dhe ekonomik të vendit.

“Në lidhje me procesin e dialogut, Kryeministri Kurti veçoi faktin se Kosova ka qenë e vazhdon të jetë palë konstruktive dhe e angazhuar për hapa të rëndësishëm tutje në këtë proces, dhe e njoftoi atë me qëndrimet e Qeverisë së Kosovës në takimin e 26 tetorit në Bruksel me liderët evropianë. Ai ritheksoi rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve, sepse me nënshkrim normalizimi i marrëdhënieve fiton qëndrueshmëri dhe zbatimi fiton garanci”- thuhet në komunikatë.

Tutje sipas komunikatës, sa i përket situatës së sigurisë, Kurti ka rikujtuar kërcënimin e vazhdueshëm që Serbia paraqet për Kosovën.

“Ajo ka 48 baza të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën, dhe së fundmi ka dislokuar sisteme kundër-ajrore në afërsi të kufirit, tha kryeministri, teksa shtoi se mungesa e sanksionimit të Serbisë, rritë nivelin e kërcënimit në Ballkanin Perëndimor”- thuhet në komunikatë.

Në këtë takim kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Ndërkaq, emisari francez Troccaz po shoqërohej nga ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot.