Peja e do Kufirin në Zhlep e Çakorr

Pika e vetme e seancës së asamblesë ishte përcaktimi i vijës kufitare me këtë shtet.

Në seancë kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri tha se para komisionit ndërkombëtar prej 3 anëtarësh të themeluar nga Presidentja Jahjaga duhet dalë me fakte, e jo me fjalë.

Më 15 mars Presidentja Jahjaga themeloi një komision të përbërë nga ekspertët ndërkombëtarë Fletcher Burton, Herbert Wilmes dhe Fred Newton për të hedhur dritë mbi procesin e demarkacionit me Malin e Zi.

http://kallxo.com/presidentja-themeloi-komisionin-nderkombetar-per-demarkacionin/

Bekim Morina shef i grupit të këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin Komunal të Pejës e përshëndeti këtë lëvizje të Presidentes.

“E mirëpresim fillimin e punës së komisionit ndërkombëtar të ngritur nga Presidentja e Republikës së Kosovës, duke shpresuar në përfundimin e procesit në fjalë në favor të interesit të përgjithshëm të Republikës së Kosovës,” tha Morina.

Blerim Nikçi nga AAK-ja tregoi vijën e pranueshme kufitare mes Kosovës e Malit të Zi për këtë subjekt politik.

“I vetmi kufi për neve i pranueshëm si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, si qytetar i kësaj zone që e prek ky demarkim i vijës kufitare është Kulla e Zhlepit, Qafa e Çakorrit dhe majat e larta. Nuk ka version tjetër të kufirit të pranueshëm nga ana jonë,” tha Nikçi.

Asamblisti tjetër i AAK-së Drin Veselaj tha se Bjeshkët e Zhlepit janë të Kosovës, ngase banorët e atjeshëm i kanë paguar taksa komunës së Pejës.

“Në vitin 1982 dënohet një person, Hasan Muçaj, i cili nxihet duke kullotur në bjeshkën e Zhlepit dhe paguan taksen në Komunën e Pejës, domethënë është një fakt shumë i rëndësishëm. Gjithashtu në vitin 1980 Bekë Balaj gjithashtu kemi dëshmi që paguan taksat në Komunën e Pejës. Kështu me radhë kemi edhe shumë të tjera,” tha Veselaj.

Në seancën e djeshme të pranishëm ishin edhe banorë të zonave kufitare me Malin e Zi, të cilëve nuk iu dha fjala, me përjashtim të Ali Lajçit, përfaqësuesit të Pejës në Komisionin për Demarkacionin me Malin e Zi, i cili u lejua të flasë nga kryesuesi i Kuvendit Komunal Islam Husaj.

Lajçi tha se komisioni kosovar për demarkacion ka shkuar në takimet me komisionin e Malit të Zi pa ndonjë variant të vijës kufitare.

Sipas Lajçit komisioni kosovar është kujdesur që vetëm pronën private ta lë brenda Kosovës.

“Shmangja është se ka lypur vetëm kadastrat private të Komunës së Pejës, patundshmërive, livadheve fjala  bie. Por jo të bjeshkëve të Molikës ose jo prej urës së Zhlepit atje deri te kulla atje që janë 5 mijë e  500 metra,” tha Lajçi.

Lajçi përmendi edhe mbjelljen e fidanëve nga Komuna e Pejës, në zonën nga e cila Kosova është tërhequr.

“Instituti i pylltarisë atje që është, mbjellja e fidanëve mbi 8 mijë fidanë  që i ka  mbjellë Komuna e Pejës. I kemi kadastrat po ashtu të bujqësisë, pylltarisë dhe aty kanë lëvize këta dhe kane ra poshtë 5 mijë metra),” tha Ali Lajçi.

Konkluzioni i miratuar në Asamblenë e Pejës përshëndet krijimin e komisionit ndërkombëtar të demarkacionit, beson se ai do të jetë i paanshëm dhe kërkon që të merren parasysh faktet dhe shqetësimet e banorëve për vijën kufitare në Qafën e Çakorrit dhe Kullën e Zhlepit.

FOTO 2

Edhe në marsin e vitit të kaluar Asambleja e Komunës së Pejës nxori një konkluzion pas seancës së jashtëzakonshme për diskutimin e çështjes se demarkacionit të kufirit me shtetit malazez.

Asnjë nga pikat e konkluzionit nuk ishin marrë parasysh nga komisioni shtetëror në krye me Murat Mehën, edhe pse anëtarët e këtij komisioni me drejtuesin e tij ishin të pranishëm gjatë debatit në këtë mbledhje .

FOTO 1