Kadri Veseli, kryetar i PDK-së

PDK hap konventën në qytetin që nuk e ka qeverisur kurrë

Nën intonimin e himnit kombëtar, e më pas atij shtetëror, PDK hapi Konventën zgjedhore të degës në Prishtinë.

Zyrtarë të kësaj partie thanë se jeta e qytetarëve të të gjitha qyteteve në Kosovë ka ndryshuar vetëm kur PDK ka ardhë në pushtet, por qytetarët e Prishtinës nuk e kanë pasur këtë fat.

Kreu i kësaj partie, Kadri Veseli, tha se Kosova e Prishtina kanë nevojë për PDK-në.

“Kosova dhe Prishtina kanë nevojë për këtë entuziazëm [të rinisë së PDK-së]. Ka nevojë Kosova për një vizion që u ofron stabilitet, zhvillim e të ardhme”, tha Veseli.

“Prishtina është identiteti ynë. Shumica nga ne shkollojmë fëmijët këtu, 80-90% e Partisë Demokratike jetojnë në Prishtinë”, tha Veseli.

Ai tha se nuk kanë bërë mjaft dhe se kanë ende shumë për të bërë, duke shtuar se e pranojnë që edhe kanë gabuar gjatë rrugës.

“Ky është vizioni ynë në dekadën e dytë të shtetit. Kush mund ta ndërtojë shtetin më mirë se PDK?”, u shpreh kreu i PDK-së, duke shtuar se kurrë nuk do të lejojnë cenimin e integriteti territorial  të Kosovës.

Veseli ishte ulur në skenë me zëvendëskryeministrin Enver Hoxhaj, ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismajli dhe kryetarin e degës së Prishtinës, Lirak Çelajn.

Ky i fundit tha se zgjedhjet e brendshme në PDK janë të rëndësishme jo vetëm për partinë por edhe për Kosovën, meqë PDK siç tha ai ka qenë pjesë e të gjitha zhvillimeve në shtetndërtim.

“PDK po hyn në një proces para një misioni, programi që është Dekada e Re, krijues e ideator i të cilit është Kadri Veseli. Dekada e Re ka të bëjë me zhvillim ekonomik, punësime…”, tha Çelaj.

Ndërsa Ministri i Shëndetësisë, i cili është edhe asamblist në Prishtinë, Uran Ismajli tha se jeta e qytetarëve të të gjitha qyteteve në Kosovë ka ndryshuar vetëm kur PDK ka ardhur në pushtet.

“Fatkeqësisht Prishtina nuk ka qenë njëra ndër to”, tha Ismajli.

“Për momentin jemi duke punu ma shumë se kryetari i Komunës”, i tha Ismajli kreut të Rinisë Demokratike.

Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj tha se nuk e di a janë zgjedhje nacionale, për shkak që siç u shpreh ka shumë njerëz prezent në tubime për zgjedhjet e brendshme.

“Nganihere nuk pe di a janë zgjedhjet nacionale në Kosovë, apo ato të brendshme të PDK-së, se prania është masive”, tha Hoxhaj.

Ai tha se ka disa arsye pse njerëzit në Prishtinë duhet t’i besojnë PDK-së.

PDK nuk ka qeverisur kurrë me Kryeqytetin.