2019_02_07_Veseli- Reformat në shëndetësi do të vazhdojnë - pacientët në qendër të vëmendjes (5)

Pas skandalit me kirurgun, Kadri Veseli viziton Spitalin e Prizrenit

Dy ditë pasi u suspendua një kirurg për trajtim jo të duhur ndaj një pacienteje, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, vizituan sot Spitalin e Prizrenit.

Veseli i Ismaili bashkëbiseduan me personelin shëndetësor dhe me pacientët, për reformat në shëndetësi dhe për krijimin e kushteve më të mira si për personelin shëndetësor, por po ashtu edhe për pacientët.

Veseli tha se kjo vizitë po bëhet për të uruar punëtorët shëndetësorë për Ligjin e pagave dhe për t’iu dëshmuar atyre dhe të gjithë qytetarëve se shëndetësia është prioritet i institucioneve të Kosovës në Dekadën e Re.

“Vetëm tani do të hapen mbi 100 vende të lira për mjekë specialistë, sepse i kemi garantuar të gjithë se nuk do të ketë mjek specialistë të papunë në Kosovë. Do të punojmë shumë që jetën e njerëzve ta bëjmë më të mirë dhe të krijojmë kushte për të jetuar në Kosovë. Kemi arritur një sukses të vogël, sepse ende jemi larg nga ajo ku duhet. Do të orientohemi në përmirësimin e kushteve të punës, për ju dhe për pacientët, sepse e kemi obligim dhe këtë do ta bëjmë”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Ndërsa drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu dhe drejtori i Spitalit të Prizrenit, Afrim Avdaj, falënderuan kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili për reformat dhe investimet që po bëhen në të gjitha nivelet e sektorit të shëndetësisë.

https://kallxo.com/suspendohet-kirurgu-i-spitalit-te-prizrenit/

.