Ministri Bejtush Gashi në Kamenicë - Foto: MPB

Pas shqetësimeve të banorëve të zonës kufitare, ministri Gashi shkon në Kamenicë

Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, i shoqëruar nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Islam Pacolli, kanë vizituar komunën e Kamenicës, ku janë pritur edhe nga kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati.

Sipas një njoftimi të Ministrisë, në këtë takim është diskutuar lidhur me situatën e përgjithshme të sigurisë në këtë komunë.

Ministri Gashi ka thënë se është duke trajtuar me prioritet shqetësimet e ngritura nga qytetarët e komunës së Kamenicës lidhur me vijën kufitare.

“Kam ardhur që për së afërmi të informohem për shqetësimet që kanë banorët e këtyre fshatrave dhe në të njëjtën kohë të shoh sfidat që ka komuna e Kamenicës për të përmbushur obligimet në rrafshin e sigurisë në përgjithësi”, citohet të ketë thënë ministri Gashi.

Ndërsa kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka theksuar se për këtë komunë është e nevojshme vendosja e kamerave dhe shtimi i veturave të Policisë së Kosovës.

Pas këtij takimi, ministri Gashi ka vizituar edhe Zyrën Raportuese të Policisë së Kosovës në Karaçevë të Poshtme, ku është mirëpritur nga drejtoresha e Policisë së Kosovës në Gjilan, kolonel Elmina Mahmuti.

Ministri Gashi ka bashkëbiseduar edhe me banorët e kësaj zone, duke dëgjuar kërkesat që ata kishin dhe është zotuar se këto kërkesa do të adresohen me prioritet në formë institucionale.