Partia e Kryeministrit Kërkon Ratifikimin e Demarkacionit në Versionin e Qeverisë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) doli me një deklaratë zyrtare rreth zhvillimeve të dy ditëve të fundit rreth seancës për votimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Pas shtyrjes së seancës së jashtëzakonshme për demarkacion, AAK ka thënë se “nuk ka qenë aspak e lehtë të mbërrihet deri të arrihet deri këtu”, duke shtuar se projektligji i propozuar është “në interes të vendit”.

“Nuk ka qenë aspak e lehtë që të mbërrihet deri në këtë pikë dhe në këto çaste vendimtare, është i domosdoshëm kontributi i të gjithëve”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

AAK thotë Projektligji për Demarkacionin me Malin e Zi, është rezultat i një pune të madhe dhe përpjekjeve të vazhdueshme të spektrit politik e të partnerëve ndërkombëtarë.

Kjo parti beson se projektligji i propozuar nga Qeveria është bazë e mirë ligjore, e cila garanton shënjim korrekt të kufirit me Malin e Zi.

“Ky projektligj, njëkohësisht është në interes të qytetarëve, lirisë së tyre të lëvizjes, por edhe të rrugëtimit të Kosovës e të Malit të Zi drejt BE-së”, thuhet në deklaratë.

Në fund partia e Haradinajt thotë se beson se nuk do të lëshohet momentumi i krijuar dhe u bëri thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që të mërkurën që vjen, ta miratojnë projektligjin e propozuar nga Qeveria dhe t’i japin një shansë vendit “duke e ruajtur njëkohësisht çdo metër të territorit të vet”.