Paratë për Ujësjellësin Shkojnë në Asfaltim Rrugësh

Asambleja e Pejës vendosi që paratë e destinuara për ujësjellësin e Lugut të Baranit t’i shpenzojë në asfaltim rrugësh e nyje sanitare të shkollave.

Asamblistëve të AAK-së nuk u pëlqeu ky ridestinim i 260 mijë eurove që ishin ndarë më herët për ujësjellësin.

“E dimë që ky projekt ka filluar në vitin 2012 dhe ka vyejtur me përfunduar në maj të vitit 2015, por nuk është përfundu. Në vitin 2014 i janë hequr, i janë marrë komunës atëherë 400 mijë euro, domethënë kjo po ndodh me ujësjellësin e Lugut të Baranit për atë trevë dhe banorët e saj,” tha asamblisti Nazmi Krasniqi nga AAK-ja.

Edhe këshilltari tjetër komunal i këtij subjekti Blerim Nikçi shtroi pyetjen se pse pikërisht projektit të ujësjellësit po i merren paratë e ndara sivjet.

“Pse bash prej atij projekti, tash kur po ridestinohen, pse bash ky projekt paska dashtur me dështu, kur po e dimë që gjithë ato rrugë e ato sene po munden mu bo” tha Nikçi.

Në vitin 2012 Komuna e Pejës drejtohej nga AAK-ja, ndërsa pushteti aktual filloi punën pas balotazhit të zgjedhjeve lokale në dhjetor 2013.

Por drejtori i Financave në Komunën e Pejës Jeton Abazaj tha se vitin e ardhshëm për ujësjellësin e fshatrave të Lugut të Baranit do të jenë në dispozicion 700 mijë euro.

“Unë po e them publikisht sot para juve këtu që mjetet komplet do të kthehen, vetëm le të shkruhet kontrata prej zyrës së prokurimit edhe absolut nuk e kemi atë problem sepse na mundëson Ligji i Buxhetit m’i kthyer këto mjete që i kemi planifikuar për vitin 2017,” tha Abazaj.

Kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri tregoi në mbledhjen e asamblesë se përfundimi i projektit të ujësjellësit është vonuar edhe për shkak të ankesave të kompanive që humbën këtë tender.

“Është bërë ligji i tillë që po ju mundëson kompanive mu anku, patën apo s’patën të drejtë edhe me të zhagit 4-5 muaj në procedura edhe ketë ligj unë s’kam mujt me ndërru. A, ë]shtë interes i jemi politik me i pas bo kontratat ma shpejt edhe mi krye punët ma shpejt për me pa qytetarët se këto punë po kryhen siç duhet,”theksoi Muhaxheri.

Ridestini i mjeteve të ujësjellësit u votua pastaj me 22 vota për, 10 kundër dhe 1 abstenim.