Paraburgim të Dyshuarve për Planifikim të Sulmeve Terroriste

Një muaj në paraburgim do të qëndrojnë shtatë të dyshuar për përgatitjen e veprave terroriste dhe kundër rendit kushtetues të vendit.

KALLXO.com siguroi vendimin e gjykatës për caktimin e masës së sigurisë ndaj këtyre personave.

Paraburgimi nga Gjykata Themelore në Prishtinë u është caktuar personave me inicialet XH.T., M.SH., B.P., A.S., A.K, H.R, F.G.

Katër të parët dolën para gjykatës dje, ndërsa tre të dyshuarit tjerë pardje.

Prokuroria thotë se të dyshuarit sipas udhëzimeve të ish-udhëheqësit të shqiptarëve në Siri, Lavdrim Muhaxheri, gjatë muajve shtator-tetor 2016 kishin planifikuar sulme terroriste në Kosovë, por edhe në vende të tjera të Ballkanit.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kishin cak te sulmit institucionet ndërkombëtare dhe institucionet e sigurisë, me qëllim që duke luftuar seriozisht të frikësojnë popullsinë, të destabilizojnë vendin dhe të shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale te shteteve të ndryshme, e pastaj në territorin tyre të krijojnë “Shtetin Islamik”.

Caktimin e paraburgimit e bëri të ditur me anë të një komunikate edhe Gjykata Themelore në Prishtinë.

Nën dyshimet e njëjta pardje iu caktua paraburgimi tre personave.

http://kallxo.com/paraburgim-te-udhezuarve-nga-lavdrim-muhaxheri/

Më 5 nëntor paraburgimi prej një muaji iu caktua edhe shtatë personave tjerë të dyshuar për përgatitjen e sulmeve terroriste në Kosovë e Ballkan.

http://kallxo.com/prokuroria-te-arrestuarit-per-terrorizem-planifikonin-sulm-ne-kosove/

Arrestimet ndaj personave të dyshuar për terrorizëm nisën më 3 nëntor.

http://kallxo.com/arrestime-nen-dyshimet-per-terrorizem/