Pamje nga një takim i mëhershëm i Komisionit për Buxhet dhe Financa

Pakoja e Re Fiskale Rriti të Hyrat Buxhetore

Rritja e normës së akcizës dhe përshkallëzimi i TVSH-së kanë kontribuar në rritjen e të hyrave.

Kështu konstaton raporti financiar për vitin 2015 i paraqitur sot nga Ministria e Financave para Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa.

Kryesuesi i Komisionit, Naser Osmani, theksoi se Raporti është sjellë me kohë nga Ministria e Financave. “Qeveria ka paraqitur me kohë raportin financiar për vitin 2015 sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, duke i paraqitur të gjitha të dhënat e shpenzimeve, me realizim të të hyrave prej 1.7 miliard euro apo 96 % e të të hyrave të planifikuara, për 16 % më të larta se ato të vitit 2014”, tha Osmani.

Ndërsa, zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, theksoi se rritjes së të hyrave i ka kontribuar rritja e normës së akcizës si dhe pakoja e re fiskale.

“Krahasuar me vitin 2014, të hyrat nga Dogana janë rritur për 9.3%. Kryesisht kanë kontribuar të hyrat e rregullta tatimore. Të hyrat nga taksa në vitin 2015 kanë rezultuar me 951 milionë euro. Kjo rritje ka qenë e shtyrë në rritjen e normës së akcizës, si dhe fillimi i implementimit të pakos së re fiskale”, tha Krasniqi.

Raporti tregon se të hyrat e arkëtuara në vend janë regjistruar në vlerë prej 330 milionë euro ose 97 % të planifikimit vjetor, me një rritje prej 9.6% krahasuar me vitin paraprak.

Gjithashtu kjo rritje ka ardhur për shkak implementimit të pakos së re fiskale apo normës së përshkallëzuar të TVSH, implementimit të Ligjit për Faljen e Borxheve dhe rritjes së deklarimit përmes fiskalizimit të bizneseve.

Raporti paraqet edhe rënien e të hyrave vetanake të komunave prej 4.9% krahasuar me vitin paraprak. Të hyrat vetanake të komunave për vitin 2015 kanë qenë 57.9 milionë euro ose 78% e planit vjetor, njëherazi janë të hyrat që më së paku janë realizuar, ndërsa rritje prej 23% ka pasur te të hyrat vetanake të nivelit Qendror.

Sipas Raportit, shpenzimet buxhetore kanë pësuar rritje prej 5.7 % krahasuar me vitin 2014, duke arritur shumën 1.5 miliard euro, rritje e cila i atribuohet pagave dhe subvencioneve.

Në vitin 2015 për paga dhe mëditje janë shpenzuar 525 milionë euro, shpenzimet e mallrave dhe shërbimeve kanë arritur vlerën 205 milionë euro, subvencionet dhe transferet 418 milionë euro e kjo kategori përfaqëson rritjen më të madhe krahasuar me kategoritë tjera prej 15.7%, ku bëjnë pjesë edhe pensionet e veteranëve të luftës, ndërsa shpenzimet kapitale kanë arritur vlerën prej 403 milionë euro.

Viti 2016 e gjen Kosovën me 256 milionë euro pasuri financiare në para të gatshme, apo viti 2015 është mbyllur me deficit buxhetor prej 2% të Bruto Produktit Vendor (GDP).

Anëtarja e këtij Komisioni, Besa Gaxherri, theksoi se shqetësuese janë shpenzimet e pagave dhe subvencioneve të cilat janë më të larta se investimet kapitale si dhe inkasimi i dobët i të hyrat komunale.

“Shifet se ka të hyra edhe nga Dogana edhe nga ATK, por shifet se ka shpenzime edhe në paga dhe subvencione më të të larta se sa investimet kapitale dhe këtë trend duhet me u mundu me e përmirësu. Shqetësuese është po ashtu të hyrat nga komunat që duhet punuar në këtë drejtim që komunat mos të kenë performancë kaq të dobët”, tha Gaxherri.

Komisioni për Buxhet dhe Financa miratoi në parim edhe Projektligjin për Parandalimin dhe Pastrimin e Parave, Luftimin e Financimit të Terrorizmit, projektligj të cilin e ka proceduar Qeveria.

Në mbledhjen e Komisionit u rekomandua që pagat e anëtarëve të bordit të KOST-it t’i caktojë Kuvendi deri te miratimi i Ligjit për caktimin e pagave të zyrtarëve të lartë, sepse KOST do të bëhet organ që i jep llogari Kuvendit derisa më herët i kanë dhënë llogari Ministrisë për Zhvillim Ekonomik.