ARKIV - Protesta te Pallati i Drejtesise

Paditësi i IPKO-s Dëshmon në Gjykatë

Gjatë dëshmisë, Krasniqi që është larguar nga puna sipas IPKO-s për performancë të dobët, në gjykatë paraqiti prova për vlerësimin e punës së tij nga kompania e telefonisë mobile.

“ Baza e vendimit sipas palës së paditur është përformanca ime kinse e dobët, për këtë unë I kam sjellë në Gjykatë provat të cilat ka qenë dashur t’i sjellë pala e paditur lidhur me evoluimin tim dhe rezultatet e punës sime,” tha Krasniqi.

Ai tregoi si është vlerësuar nga IPKO-ja nga viti 2013.

“Unë në vitin 2014 kam pasur rritje në krahasim me vitin 2013 edhe në vlerësimin e vitit 2015 kam pas rritje mbi mesataren e kompanisë, stafit tim në gusht të 2015-ës për shkak të performacës perfekte të njësisë sime i është vazhduar kontrata edhe për 5 vjet,” deklaroi paditësi.

Por përfaqësuesi i kompanisë IPKO Isamedin Dedinca tha se Krasniqi është larguar për performancë të dobët.

Ky përfaqësues kontestoi pretendimin e paditësit për ndërprerje të marrëdhënies së punës.

“’IPKO’ pretendon se në këtë rast kemi të bëjmë me mosvazhdim të marrëdhënies së punës, e jo ndërprerje siç pretendon pala paditëse,” tha ky përfaqësues.

Në gjykatë dëshmoi edhe kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të IPKO-s Luan Hoti.

Ai në fillim tregoi se si bëhet vlerësimi i performancës në këtë kompani.

“Procesi i evoluimit në kompani është i bazuar në rregullore të brendshme, për dy vitet e fundit vlerësimi bëhet me notë nga 1 deri në 5 e mesatarja është 2.5 kur arrihen pritshmëritë, çka do që është mbi të llogaritet si punë shumë e mirë. Masat ndëshkuese ndërmerren vetëm në rastet e vlerësimit nën 2.5 dhe atë vetëm në qoftë se është në vazhdimësi pas çdo vlerësimi dhe jo vetëm njëherë,” tha Hoti.

Hoti më pas tregoi se Viktor Krasniqit i ishte dhënë vërejtja e fundit me shkrim, pa pasur më herët asnjë vërejtje me gojë.

“Sindikata është njoftuar në mesin e shtatorit 2015 për letër-vërejtjen e lëshuar ndaj Viktor Krasniqit si vërejtje e fundit me shkrim, pa pasur më herët asnjë lloj vërejtje tjetër as verbale, sa i përket punës dhe performancës,”, tha Hoti.

Pas kësaj sipas Hotit është kërkuar nga sindikata formimi i një komisioni disiplinor në lidhje me letër-vërejtjen ndaj Krasniqit.

“Duke u bazuar në rregullore të brendshme kemi kërkuar formimin e komisionit disiplinor, këtu fillojnë edhe manipulimet nga ana e punëdhënësit, fillimisht është tentuar që në komision të jetë dy anëtarë të zyrës ligjore, sindikata ka reaguar dhe është formuar një komision në bazë të rregullores së brendshme,” vazhdoi rrëfimin dëshmitari.

Kryetari i sindikatës Luan Hoti tha më tutje se komisioni disiplinor intervistoi Viktor Krasniqin, një përfaqësuese të IPKO-s nga departamenti i distributorëve dhe drejtorin e shitjes në këtë kompani.

Hoti akuzoi kryetarin e komisionit disiplinor se nuk mbajti procesverbal për intervistimin e drejtorit të shitjes në IPKO, ndërsa tregoi se pas kësaj sindikata u tërhoq nga komisioni.

“Sindikata i drejtohet drejtorit ekzekutiv të kompanisë duke kërkuar të merren masa ndaj kryetarit të komisionit disiplinor, mbahen dy takime me drejtorin ku nuk arrihen marrëveshje dhe menaxhmenti vazhdon me hapat e vet e sindikata tërhiqet nga komisioni dhe e inkurajon Viktor Krasniqin që lëndën ta dërgojë  në Inspektorat të Punës dhe në  gjykatë,” shpjegoi Hoti.

Përfaqësuesi i IPKO-s pas dëshmisë së kryetarit të sindikatës tha se do t’ia paraqesë gjykatës me shkrim një parashtesë për dëshminë tendencioze dhe të njëanshme të Hotit.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 8 shtator.

Sipas padisë, Krasniqi ka kërkuar që Gjykata të vendosë që kompania të bëjë kompensimin e të ardhurave për punëtorin nga momenti i ndërprerjes së punës, sipas saj, të kundërligjshme e deri në momentin kur aktgjykimi të marrë formën e prerë.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për ketë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/ipko-e-kundershton-padine-e-ish-punetorit/

http://kallxo.com/punetori-padite-ipko-n-kerkon-kompensim-te-pagave/