Behgjet Pacolli | Foto: Facebook

Pacolli Flet për Tërheqjet Nga UNESCO e INTERPOL

Shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, siguroi anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme se në samitin e ardhshëm në Abu Dabi, Kosova do të bëhet pjesë e Interpolit.

Në raportimin e tij para anëtarëve të këtij Komisioni, Pacolli u pyet edhe për tërheqjen e Kosovës nga aplikimi në dy organizatat ndërkombëtare, UNESCO dhe INTERPOL.

Pacolli ai nuk ka pasur hezitim ngase, sipas tij, ka pasur shanse për pranim, por nuk ka pasur siguri se aplikimi do të kalohet pa pengesa.

Por, në shpjegimin e Pacollit, edhe kryeministri Haradinaj ka qenë kundër që të ecet përpara me aplikim.

“U përgatitëm që të aplikojmë dhe një ditë para, vendimi vjen nga kryesuesi i Qeverisë që mos të aplikojmë. Ishte lehtësim për ne se në çdo takim që kam pasë ishte një hezitim që ne të shkojmë pas një vakumi institucional. Jo që u tërhiqem, por e spostuam për vitin 2019”, tha Pacolli.

Sipas tij, ka qenë mendim i partnerëve ndërkombëtarë që Kosova ka bërë mirë që është tërhequr, ngase siç tha ai, viti 2018 do të jetë vit me rëndësi për vendin “kur pritet përmbyllja e dialogut me Serbinë”.

“Në këtë kontratë do të ketë edhe pika kyçe ku do t’i kërkohet partnerit të veriut (Serbisë) që mos ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, tha ai.

Pacolli tha se fushata e Sebisë  kundër pranimit të Kosovës në UNESCO ka qenë shumë e madhe.

“Kanë qenë mbi 27 shtete oficialisht që Serbia ka lobu, por unë e di që ata kanë vizitu 60 shtete, ku kanë marrë obligime, diku me bursa për studentë e diku me ndihma humanitare, vetëm e vetëm që mos ta votojnë Kosovën në UNESCO”, tha Pacolli.

Se nuk janë tërhequr, por kanë shtyrë aplikimin për samitin e radhës, e thotë edhe për mos-aplikimin e Kosovës në Interpol.

Pacolli tha se samiti i radhës do të mbahet në Abu Dabi, siç u shpreh ai “në një vend më miqësor”.

“Në takim që kam pas më ka thënë se ne do të bëjmë çmos që ju të punoni, synim  i juaji dhe yni që Kosova të jetë aty”, tha Pacolli.

Ai tha se në ditët e para që ka ardhur në krye të MPJ-së, ka dërguar 194 nota verbale, përveç në Korenë e Veriut, për të kërkuar mbështetje nga shtetet anëtare të OKB-së.

“Si feed back kam marrë diku 22 konfirmime që i shtohen këtyre 44 që kanë qenë, e që i bjen diku 60 e diçka, e u desht me i pasë 112 vota sipas paralajmërimeve sa do të marrin pjesë”, tha ai.

Pacolli tha se MPJ bashkë me MPB-në dhe Kryeministrin kanë krijuar një task forcë speciale që po punon në këtë drejtim, dhe sipas tij “nga samiti i Abu Dabit, Kosova do të jetë pjesë ë INTERPOL-it”.