Oda Ekonomike: 'Hyundai' e interesuar për investime në Kosovë

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka pritur në një takim miqësor, përfaqësuesit e konglomeratit korean, ‘Hyundai’, të udhëhequr nga Junwon Song, drejtor i përgjithshëm në ‘Hyundai Engineering and Construction’.

Gërxhaliu, theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit reciprok në mes Koresë dhe Kosovës, sidomos në aspektin biznesor si dhe të promovojë mundësitë për investimeve të kompanive koreane në fushën e energjisë, minierave dhe teknologjisë informative.

Përfaqësuesit e kompanisë ‘Hyundai’ theksuan nevojën e rritjes së bashkëpunimit ekonomik në mes të të dyja vendeve dhe shprehen interesim specifik për të investuar në projektet e rëndësisë infrastrukturore dhe energjetike, përfshirë ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” si dhe rehabilitimin e Termocentralit “ Kosova B”, por edhe në projekte të rëndësishme të energjisë së ripërtritshme dhe të logjistikës.

Shumë shpejt, nën organizimin e Odës Ekonomike të Kosovës, do të aranzhohen edhe misione tregtare për kompanitë kosovare në Korenë e Jugut dhe për kompanitë koreane në Kosovë, për të promovuar mundësitë për partneritete biznesore dhe bashkë-investime në shumë projekte të rëndësishme.

“Përvoja e kompanive koreane është e mirëseardhur për qëndrueshmërinë ekonomike të Kosovës, ambientalizmin, por edhe në fusha të tjera ku kompanitë jug-koreane janë brende botërore që me praninë e tyre në Kosovë do të ndikojnë në përmirësimin e imazhit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Odës Ekonomike të Kosovë.