Rukiqi: Nuk pritet stabilizim i çmimit të energjisë deri në vitin 2022
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, përmes një konference ka folur për energjinë elektrike dhe rritjen e çmimit gjatë muajve të fundit.
Rukiqi foli për zhvillimet në tregun e energjisë elektrike në nivel global dhe krizën e fundit.
“Evropa po ballafaqohet me problem fondamental të furnizimit me energji elektrike, rritja e fundit e çmimeve të energjisë në Evropë po ndikon në rritje të inflacionit, rrezik për rimëkëmbje ekonomike dhe në qarkullimet dhe fitimet e miliona kompanive në Evropë”, tha Rukiqi.
Sipas tij, deri tek kjo krizë kemi ardhur si shkak i tranzicionit elektrik dhe moszhvillimi i mekanizmave që përballojnë lëkundjet e mëdha në çmime.
Ai shtoi se rritja e kërkesës për gaz ka ndikuar në Azi, ka ndikuar në çmimin e gazit ndërkombëtarisht.
“Nuk janë zhvilluar ende mekanizma që përballojnë lëkundjet e shkaktuara nga tranzicioni në energji. Që nga korriku kemi rritje ekstreme të çmimit të gazit dhe thëngjillit, gazi është 6 herë me i shtrenjtë se në vitin 2019. Ky çmim i gazit në Evropë është i lidhur me çmimin në Azi. Rritja e kërkesave për gaz në Azi e ka rritur çmimin e gazit në bursat ndërkombëtare”, shtoi tutje Rukiqi.
Sipas Rukiqit deri tek kjo krizë kemi ardhur për shkak të rritjes së prodhimit në nivel global, ndikimet sezonale, parashikimet për dimër të ftohtë dhe projekti “Nordstream 2”
Tutje, Rukiqi potencoi se këto çmime pritet të stabilizohen në pranverën e vonshme të vitit 2022, por nuk pritet kthim në çmimet e vitit 2019.
Kryetari i OEK përmendi edhe ndikimet e këtyre zhvillimeve në Kosovë.
“Ndikimi i këtyre çmimeve është evident edhe në Kosovë si rasti i Ferronikelit, sektori minerar, kostoja e ujit dhe ngrohjes, transportit etj” , shtoi ai.
Për fund Rukiqi theksoi që Kosova duhet të bëjë zgjidhje për furnizim me energji elektrike.
“Kosova duhet sa më shpejt të ketë zgjidhet afatshkurtër dhe afatgjate për sigurim të energjisë elektrike. Duhet investime masive në efecientë, burimet me energji solare si dhe përdorimi i instrumenteve fiskale që të amortizohet rritja e pashmangshme e çmimit të energjisë elektrike”, ka thënë Rukiqi.