Vendi ku nga shembja e objektit të vjetër vdiq vogëlushja Xheneta Gashi - Foto: KALLXO.com

Tre Komunarë të Prizrenit Hetohen për Vdekjen e Xheneta Gashit

Prokuroria Themelore në Prizren ka filluar hetimet kundër N.K., B.B. dhe B.E., që të tre zyrtarë në Komunën e Prizrenit, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se si bashkëkryerës kanë kryer veprat penale – shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe mosevitim i rrezikut.

“Hetimet kanë filluar për shkak të dyshimit të arsyeshëm se gjatë periudhës kohore janar e deri më 06.06.2016 në Prizren, në cilësinë e personave përgjegjës pranë Komunës së Prizrenit, të tre të pandehurit në kundërshtim me detyrimet dhe fushëveprimtarinë e tyre të përcaktuar me ligj, nuk kanë ndërmarrë masa për vendosjen e pajisjeve përreth shtëpive me predispozitë të shembjes, për të evituar veprimin e rrezikshëm, mbrojtjen e kalimtarëve dhe njerëzve të cilët banonin përreth dhe nga mosveprimi i këtyre të pandehurve vjen deri te shembja e objektit të vjetër – një shtëpie në rrugën “Marin Barleti”, me ç’rast nga plagët e marra ka humbur jetën një vajzë e mitur”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Prizrenit.

Ndonëse Prokuroria nuk e specifikon në komunikatën e saj, bëhet fjalë për vdekjen tragjike të 3-vjeçes Xheneta Gashi, nga shembja e një objekti të vjetër në rrugën “Marin Barleti” në Prizren më 6 qershor të këtij viti.

http://kallxo.com/faji-jetim-per-vdekjen-e-trevjecares-ne-prizren/

http://kallxo.com/ne-prizren-te-merkuren-kerkohet-doreheqja-e-mujes-2/