Foto: ZKM

Nis ndërtimi i Shtëpisë së të Moshuarve në Suharekë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot mori pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve, të shtëpisë së të moshuarve në fshatin Gjinoc të Suharekës, e cila do të jetë në shërbimin e personave pa përkujdesje familjare.

Haradinaj tha se janë të bashkuar për të vazhduar pjesën e mbetur të këtij investimi i cili kap shumën prej 2.3 milionë eurove.

“Falënderojmë gjithë ata që do ta përkrahin ndërtimin e kësaj shtëpie të pleqve dhe shpresoj shumë se së shpejti do të bashkohemi në inaugurimin e kësaj shtëpie dhe këtu të gjejnë strehë prindërit tanë, ata që kanë bërë shumë për ne e për të cilët ne kurrë nuk do të ndalemi të bëjmë aq sa kërkohet”, tha kryeministri.

Ndërsa, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se përmbyllja e këtij projekti e ka edhe një kuptim dhe dimension tjetër, e ajo ka të bëj me atë që gjenerata e vjetër janë ata të cilëve ne iu falënderohemi për karakterin e personalitetin tonë.

Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj tha se sot është një ditë me shumë rëndësi, pasi që po fillon një projekt për të cilin ka nevojë Kosova.

Sipas tij, ky objekt do të jetë për ata që na lindën, rritën e shkolluan.

Në anën tjetër, kryetari i Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati, tha se kanë nisur punën pa e ditur se ku do të arrijnë, me të vetmin qëllim, që t’u gjenden afër njëri- tjetrit me mundësitë që i kanë.

Sipas tij, 10 vjetori i themelimit të shoqatës, po e gjen me finalizimin e këtij projekti, i cili është i domosdoshëm për popullin e Kosovës.

Kastrati tutje ka treguar se shoqata për 3 vjet e gjysmë ka ndërtuar 400 shtëpi, ndërsa vetëm tani në këtë muaj kanë nisur ndërtimin e 200 shtëpive të tjera dhe se deri në fund të vitit 2019, do të finalizojnë 800 shtëpi.

Foto: ZKM
Foto: ZKM