Zhvillimet politike në Kosovë, sot takohen Albin Kurti dhe Memli Krasniqi

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti pritet të takohet më kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, sot më 13.05.2024, rreth orës 18:30.

Ditë më parë, Kurti ka ftuar liderët e tri partive opozitare parlamentare: PDK, LDK dhe AAK, por ftesës i është përgjigjur pozitivisht vetëm kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.

Sipas njoftimit të partive, shefi i Qeverisë i ka ftuar ata për të diskutuar për agjendën legjislative të Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa nga Partia Demokratike e Kosovës kanë njoftuar për KALLXO.com se nga kjo parti do të kërkohet caktimi i datës së zgjedhjeve.

“Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë. Prandaj edhe pjesëmarrja e Kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jenë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja” – tha ai.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka refuzuar takimin me Kryeministrin, Albin Kurti, duke konsideruar të vonuar ftesën e Kurtit.

Më tej në letër, kreu i LDK-së ka thënë se çështjet e ngritura në letrën e Kurtit, përkatësisht agjenda legjislative e Kuvendit mund të diskutohet në Kryesinë e Kuvendit mes përfaqësuesve politikë.

Lidhur me marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat nuk janë votuar që disa herë në Kuvend në mungesë të kuorumit, Abdixhiku ka thënë se LDK i konsideron ato mbi politikat ditore, prandaj do të vazhdojë t’i votojë ato.

Ndërsa, edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka refuzuar takimin me Kryeministrin, Albin Kurti, sikurse kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.

“Sa i përket temës së kësaj darke, besoj se kjo bie në përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare” – ka shkruar Haradinaj.

“Z. Besnik Tahiri, i cili udhëheqë grupin tonë parlamentar dhe kolegë tjerë, jam i bindur se do të diskutojnë në frymën kolegiale dhe do të gjejnë një gjuhë, që pastaj do të përçohet në Kuvend nga grupet tona parlamentare për zbatim. Konsideroj që kjo temë bie drejtpërdrejt në përgjegjësinë dhe në dijen e tyre” – ka thënë më tej kreu i AAK-së.

Kryeministri Albin Kurti është deklaruar pas përgjigjeve që mori nga 3 liderët e partive opozitare.

Në një deklaratë dhënë Televizionit Besa, kryeministri Kurti ka thënë se është i interesuar të takohet me të gjitha partitë politike, pavarësisht refuzimit që mori nga kreytari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Unë jam i interesuar që të takohem me të gjithë dhe mendova që është më së miri të takohemi të gjithë së bashku. Unë jam gjithmonë i hapur, i interesuar, i gatshëm dhe këtë e kam treguar edhe në të kaluarën, do ta tregoj edhe në ditët, javët e muajt në vijim tash të kemi hyrë në vitin e fundit të mandatit qeverisës” – ka deklaruar Kurti për Televizionin Besa.