Kurti fton Haradinajn dhe Tahirin në takim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar në takim kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe deputetin e kësaj partie, Besnik Tahiri.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili.

“Mund të ju konfirmoj që kryetari Ramush Haradinaj bashkë me drejtuesin e grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, kanë pranuar ftesë nga z. Kurti për takim, të hënën në ora 18:30. Ndërkaq, sa i përket pjesëmarrjes, jemi ende në shqyrtim” – ka thënë ai.

Temë e diskutimit pritet të jetë përmbushja e agjendës së mbetur legjislative për sesionin pranveror të Kuvendit të Kosovës.

KALLXO.com pyeti edhe zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu se cilat parti të tjera janë ftuar nga Kurti për takim, por deri në publikimin e këtij artikulli ai nuk ka kthyer përgjigje.