Ngjarjet Interesante në Drejtësinë Kosovare më 2016

Sistemin e drejtësisë së Kosovës gjatë vitit 2016 e përcollën shumë ngjarje interesante, duke nisur me grevën e punëtorëve të drejtësisë, dërgimin e ftesave që palët të paraqiten në gjyq ditëve të vikendit, mbyllja e seancave gjyqësore për media, korrupsioni në prokurori, e deri te rastet kur gjykatësit shkelin ligjin.

KALLXO.com në muajin mars raportoi për punëtorët e Gjykatës Themelore të Prishtinës të cilët nisën një grevë dyorëshe të përditshme në kërkim të kushteve më të mira të punës në Pallatin e Drejtësisë.

Nga atëherë edhe përkundër grevave të mbajtura kushtet në Pallatin e Drejtësisë sa i përket ajrit nuk kanë ndryshuar.

Greva pati edhe nga avokatët e Mitrovicës, të cilët kërkonin që t’u paguhej borxhi që ua kishte Këshilli Prokurorial për punën e kryer sipas detyrës zyrtare.

http://kallxo.com/ne-greve-per-borxhin-e-keshillit-prokurorial/

Ndërsa Këshilli Prokurorial i Kosovës ka njoftuar se ka nevojë për rritje të buxhetit dhe se po pret mjete nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës për të paguar avokatët.

Gjatë vitit 2016 pati raste kur qytetarët u ftuan nga gjykata edhe ditëve të vikendit. Një qytetar nga komuna e Kaçanikut është ftuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, dega në Kaçanik, të paraqitej në gjyq më 9 tetor 2016. Sipas kalendarit, në këtë datë ishte e diel, pra ditë pushimi e institucioneve të Kosovës.

Gjykata për këtë gabim përgjegjës e bëri Institutin Gjyqësor të Kosovës, i cili e ka shpërndarë kalendarin në Gjykatë dhe ky kalendar rezulton të jetë shtypur me gabime.

Befasi me ftesa nga gjyqësori pati edhe në muajin shkurt, kur një qytetar ishte ftuar në gjykatë për datën 30 shkurt 2016, ndërkohë që muaji shkurt ka 28 dhe 29 ditë.

http://kallxo.com/ftohet-ne-gjykate-me-30-shkurt/

Duket se ky fenomen është përsëritur në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Në muajin maj, KALLXO.com raportoi me pamje të filmuara të negociatave në mes shoferit të Prokurorisë së Prizrenit dhe familjes Paçarizi, ku janë diskutuar mundësitë që familja Paçarizi të mos i bëjë publike ofertat për të dhënë mito për prokurorin e Prizrenit, Bajram Hamitaga, për këtë të fundit u raportua edhe për rregullimin e kositëses së barit dhe marrjen e një çadre. Në muajin qershor shoferi u përjashtua nga puna, ndërsa prokurori u suspendua.

http://kallxo.com/negociatat-e-korrupsionit-ne-prizren-video/

Në muajin shtator kundër dy të pandehurve, Bajram Hamitaga, prokuror dhe Luan Delili, shofer, u ngrit aktakuzë për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar dhe frikësimit gjatë procedurës penale.

Në muajin tetor, KALLXO.com raportoi se si prokurori i Ferizajt, Visar Musa, i cili po hetonte tre vëllezërit Rama, është ulur dhe ka drekuar me njërin nga vëllezërit. Në takimin i cili është mbajtur në njërin nga restorantet e Ferizajt ka qenë i pranishëm edhe gjykatësi Adem Shabani, përgjegjës i degës së Gjykatës së Shtërpcës. Në muajin nëntor, prokurori Musa dha dorëheqje.

http://kallxo.com/dreka-e-gabuar-e-gjykatesit-dhe-prokurorit-te-akuzuarin/

Pas këtij raportimi prokurori dhe gjykatësi janë nën hetime.

Pos prokurorit dhe gjykatësit nga Ferizaj, në vitin 2016 u raportua edhe për një rast në të cilin gjykatësi nga Prishtina Beqir Kalludra u ndodh në situatë jo të këndëshme. Gjykatësi në rastin ku po gjykohej deputeti Albin Kurti publikisht i tha atij se do i lejojë të drejtën për t’u deklaruar në këtë fazë, edhepse një gjë të tillë nuk e parasheh ligji.

Ky përjashtim ngjalli reagimin e Kurtit, i cili i ka kërkuar llogari gjykatësit për shkelje të ligjit “Nëse s’kam ligjërisht të drejtë pse po e shkelni ligjin?”, ka pyetur Kurti. I menjëhershëm ka qenë reagimi i gjykatësit, i cili ka potencuar se tash nuk do t’ia japë fjalën. “I ratë pishman, a i bjen shpesh pishman?”, ka pyetur Kurti që ka vazhduar të flasë në gjykatore.

http://kallxo.com/polemika-kurti-gjykatesi-gjate-seances/

Tre muajt e fundit të vitit 2016 ishin muajt e mbylljes së transparencës nga ana e gjyqësorit.

Në muajin tetor Gjykata Themelore e Prishtinës vendosi për mbylljen e seancave ndaj ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit Salih Mekaj.

http://kallxo.com/ekskluzive-aktvendimi-qe-mbylli-seancen-e-salih-mekajt/

Në muajin nëntor Gjykata e Prishtinës vendosi t’i përzë mediat madje nuk u lejuan as të qëndrojnë afër sallës ku po gjykoheshin 58 mjekë, punonjës të sistemit publik e privat shëndetësor dhe ish-ministri i Shëndetësisë, në gjykimin e njohur si rasti “Stenta”.

Mbyllje për media pati edhe në muajin dhjetor, në seancën gjyqësore në rastin ndaj ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla, dhe 38 personave të tjerë, të dyshuar për krim të organizuar.

http://kallxo.com/mbyllet-per-media-seanca-ne-rastin-e-azem-syles-dhe-te-tjereve/