Prokurori Visar Musa e gjykatësi Adem Shabani. Foto: Kallxo.com

Prokurori e Gjyqtari nën Hetime pas Drekës me të Akuzuarin

Prokurori Visar Musa dhe gjyqtari Adem Shabani zyrtarisht janë nën hetime nga Zyra e Prokurorit Disiplinor nën dyshimin se kanë kryer sjellje të pahijshme.

Hetimet ndaj tyre kanë filluar pasi që jashtë objekteve të prokurorisë, respektivisht gjykatës janë takuar me persona të akuzuar.

Hetimi ndaj prokurorit dhe gjyqtarit ka nisur pas transmetimi të emisionit “Drejtësia në Kosovë” të datës 28 tetor, emision i cili faktoi se prokurori Visar Musa është takuar në kafene me personin të cilin e ka akuzuar.

Fillimin e hetimeve ndaj gjyqtarit Shabani dhe prokurorit Musa e pakonfirmuar Zyra e Prokurorit Disiplinor përmes një shkrese për zyrën Ligjore të BIRN dhe Internews Kosova.

“Zyra e Prokurorit Disiplinor (ZPD), sipas detyrës zyrtare, bazuar në informacionet e pranuara nga emisioni “Drejtësia në Kosovë”, ka hapur hetim disiplinor ndaj z. Visar Musa, Prokuror në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, për sjellje të mundshme të pahijshme”, thuhet në shkresën e pranuar nga ZPD.

‘Dreka e Gabuar’ e Prokurorit me të Akuzuarin

E njëjta është konfirmuar edhe për gjyqtarin Adem Shabani, për të cilin ”Drejtësia ën Kosovë”, transmetoi të gjeturat që treguan për rolin e gjyqtarit Shabani në takimin e prokurorit me të akuzuarin.

“Zyra e Prokurorit Disiplinor, ka hapur hetim disiplinor në bazë të informacionit t pranuar nga “Drejtësia ën Kosovë”, të datës 28 tetor 2016 dhe njoftimit të kryetarit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, të datës 31 tetor 2016, për sjellje të mundshme të pahijshme të kryer nga Adem Shabani, gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Ferizaj, dega Shtërpcë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Prokurorit Disiplinor për BIRN dhe IKS.

Në anën tjetër, Servete Hoti nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka konfirmuar për KALLXO.com se kanë pranuar një rekomandim nga ZPD-ja. Sipas saj Komisioni Disiplinor i KGjK-së ka kërkuar që brenda 30 ditësh të kompletohet raporti nga ZPD dhe më pas i njëjti të shqyrtohet brenda komisionit disiplinor.

“Komisioni ka mbajtur seancë dëgjimore të jashtëzakonshme me datë 03. 11.2016  dhe e ka shqyrtuar rekomandimin e ZPD-së. Pas shqyrtimit dhe vlerësimit Komision në mënyrë i unanime ka vendosur qe ta shtyj Rekomandimin e Zyrës së Prokurorit Disiplinor për suspendimin e Adem Shabanit, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Ferizaj-Dega në Shtërpce, duke e obliguar Zyrën qe ta kompletoj raportin përfundimtar në një afat prej 30 ditësh prej ditës së marrjes se këtij vendimi”, thuhet në përgjigjet që ka pranuar Kallxo.com nga zyrtarja ligjore e KGjK-së, Servete Hoti.

Ndryshe, në edicionin e datës 28 tetor 2016, emisioni “Drejtësia në Kosovë” transmetoi reportazhin hulumtues për takimet sekrete në mes prokurorit të Ferizajt Visar Musa me të akuzuarin Raif Rama.

Emisioni solli dëshmi se si prokurori i cili po hetonte tre vëllezërit Rama është ulur dhe ka drekuar me njërin  nga vëllezërit. Në takimin i cili është mbajtur në njërin nga restorantet e Ferizajt ka qenë i pranishëm edhe gjykatësi Adem Shabani, përgjegjës i degës së gjykatës së Shtërpcës.

Në intervistë për “Drejtësia në Kosovë”, pala e dëmtuar në këtë rast, Afrim Matoshi, ka paraqitur dyshime serioze për ndikime të mundshme në rastin e tij pas  drekës së prokurorit me të akuzuarin.

Prokurori i Rastit Visar Musa në intervistë për “Drejtësia në Kosovë” ka mohuar se ishte në dijeni se po takohej me të akuzuarin por ka sqaruar se takimi ishte iniciuar nga gjykatësi Shabani i cili ka miqësi me të akuzuarin Rama.

“Drejtësia në Kosovë”, muaj më parë ka raportuar edhe për një skandal në Prokurorinë e Prizrenit, ku prokurori Bajram Hamitaga dyshohet se kishte kërkuar para nga familjarët e të akuzuarit Granit Paçarizi.

Pazaret në Prokurorinë e Prizrenit

Pas transmetimit të emisionit, prokurori Bajram Hamitaga ishte suspenduar nga puna, ndërsa shoferi i tij sekser ishte larguar nga puna. Prokurori dhe shoferi i tij tani janë duke u  gjykuar ën gjykatën Themelore të Gjilanit, pasi ndaj tyre rëndojnë akuza të rënda penale .

http://kallxo.com/prokurori-hamitaga-te-gjykohet-ne-gjilan/