Punëtorët teknikë dhe mirëmbajtës të Fakultetit Ekonomik në UP, në grevë më 21.02.2024

Vazhdon greva e punëtorëve teknikë në UP

Punëtorët teknikë dhe të mirëmbajtjes të Universitetit të Prishtinës kanë vazhduar grevën të mërkurën më 21.02.2024.

Greva e tyre ka nisur nga data 16.02.2024.

Ata janë të pakënaqur me pagat. Sipas tyre, ata marrin rrogë deri në 300 euro, e cila nuk i plotëson nevojat e tyre.

Këta punëtorë të sektorit privat punojnë përmes kompanive që kontraktohen nga UP për ofrim të shërbimeve.

Kërkesa e tyre është që të marrin së paku 405 euro në muaj, për shkak të rritjes së çmimeve.

“Thirrja jeme është, le t’i qelin sytë, le të nisen prej veti, ata një darkë e hanë sa e kena na rrogën. Na po lypim 405 euro, s’po lypim diçka ekstra që s’mundet me plotësue një kusht. Se një darkë e tyne kushton 250 euro, që e hajnë këta, e neve kur t’ia lypim ju doket shumë, po s’o faktikisht shumë se janë rritë krejt t`u nis prej çmimeve, prej rrymës, prej të gjitha janë rritë” – ka deklaruar Emine Gashi, mirëmbajtëse në Fakultetin Ekonomik.

Kurse, sipas Nazmi Krasniqit punëtor teknik në Fakultetin Ekonomik, arsyeja se pse kanë hyrë në grevë është për shkak të diskriminimit të të drejtave të punëtorëve.

Në këtë rast ai ka bërë një krahasim me pagën që marrin kolegët e tij në Ministrinë e Arsimit.

“Në Ministrinë e Arsimit, kanë qenë me 230 euro rrogat (e punëtorëve) të pastrimit, tash ju kanë ba 405 euro. Na jemi punëtorë të asaj ministrie, në kuadër të Universitetit të Prishtinës, atyne ju ka ba 405 euro, neve me 260 euro na kanë lanë, po dojna barazim” – është shprehur Krasniqi për KALLXO.com.

Ndërsa, pagën që ai merr e ka quajtur “ndihmë sociale”.

“Mjaftueshëm jo për mua, po kërkon, kjo faktikisht unë e llogariti social, ndihmë sociale faktikisht. Se llogarite ti ma së pari çfarë fatura të rrymës, të fryra, në fluturime, tani tatimi në pronë ekstrem i rriten qysh deshtën vetë, ku mundet me i përballu njeri me këto rroga” – ka thënë ai.

Për Zarife Kozhanin, punëtore teknike në Fakultetin Filozofik, jetesa me pagën që kanë është shumë e vështirë, andaj kanë kërkuar që greva të vazhdojë derisa të plotësohen kushtet e tyre.

Kozhani e ka pohuar për KALLXO.com se nuk kanë pasur rritje page për një kohë dhe se ajo ka shpenzime që nuk mund t’i përballojë.

“Jo, rritje s’kemi pasë, pagën e kemi qe 5 vjet që punoj këtu, është e njëjta pagë 280 euro bruto. Unë jam banore e Lipjanit, udhëtoj, as p.sh. udhëtimi, ushqimi këto krejt kur të kthehet në fund nuk na jesin as 100 euro. Po kuptohet që jemi edhe me kredi, kemi obligime, pagesa, fatura” – ka treguar Kozhani.

Se nuk kanë pasur rritje page për 3 vjet, ka thënë edhe Fehmi Krasniqi, punëtor teknik në Fakultetin e Edukimit.

“Këtë pagë e kena që tri vjet, dikun afër 300 euro është për (punëtorë) teknikë… Tash edhe me këtë kontratën e re që pretendojnë tenderin me marrë, d.m.th. dikun 360 euro neto është për punëtorët teknikë” – ka thënë Krasniqi.

Grevistët kanë theksuar se greva e tyre do të vazhdojë edhe të enjten, më datë 22.02.2024, ndërsa pas kësaj date ata do të shohin se si do të vazhdojnë.

“Sot edhe nesër jemi në grevë, të premten kena një mbledhje ta këqyrim çka do të ndërmarrim. Duhet me ndërmarrë se sektori privat është shumë në gjendje të vështirë edhe pagat janë të vogla, kushtet janë d.m.th shpenzimet, standardi është shku lartë, edhe duhet me kanë një rrogë. Na s’po lypim rrogë ku me ditë sa, po një rrogë mesatare, minimale që i mbulon kushtet pak deri dikun” – ka thënë Krasniqi.

KALLXO.com ka raportuar për hapësirat e papastra në fakultete, si pasojë e grevës.

Për kërkesat e punëtorëve teknikë më datë 21.02.2024, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Universitetin e Prishtinës, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Në anën tjetër, sekretari i Universitetit të Prishtinës, Besfort Krasniqi, në një përgjigje për KALLXO.com më 20.02.2024 ka dhënë detaje për rritjen e vlerave të kontratave të reja që pritet të nënshkruhen së shpejti, pas skadimit të kontratave aktuale. 

Siç ka thënë sekretari, kontratat në fjalë, të lidhura më 10.03.2021 dhe më 31.03.2021 janë 3-vjeçare.

Në kontratat e ardhshme, UP ka rritur vlerat e parashikuara të kontratave për 780 mijë euro, përkatësisht 300 mijë euro për sigurimin fizik të objekteve dhe 480 për pastrim dhe mirëmbajtje.

Mirëpo, për shkak se janë shtuar hapësirat dhe shërbimet e nevojshme, Krasniqi tha se parashihet edhe numër shtesë i punëtorëve e i orëve shtesë të shërbimit, gjë që ndikon në mundësitë e rritjes së pagave.

“Prandaj, edhe këta parametra nuk kanë lënë hapësirë për ngritje më të madhe të lartësisë së minimumit të pagës bruto, pasi kjo do të ndikonte pastaj në rritjen edhe të vlerës së parashikuar të kontratës” – ka thënë Krasniqi.

Më tej, ai tregoi se pagat bruto aktuale të nëpunësve dhe ato që parashihen të jenë më kontratat e reja. Pagat e rojeve parashikohet të jenë 322 euro, nga 280 aktualisht, të pastruesve 320 nga 280, e mirëmbajtësve 395 nga 320 dhe e kryepunëtorëve 500 nga 350.

Numri i nëpunësve për pastrim dhe mirëmbajtje, sipas kontratës aktuale është 161, ndërkaq sipas kontratës së propozuar do të jetë 184.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi më 20.02.2024 tha se këta punëtorë do të jenë në grevë deri të enjten, më 22.02.2024.

“Kemi bërë protestë të premten, kemi lënë sot këtë afat për negocim por sipas të gjitha gjasave kanë negocu vetëm me pronarët e kompanive por jo edhe me neve dhe po e realizojmë planin tonë, nesër dhe pasnesër do jemi në grevë pastaj të premten merret vendim, ku do të ndërrohet forma e grevës” – kishte deklaruar Azemi.