Ftesa e Gjykatës që i shkoi një qytetari të Kaçanikut të paraqitej në seancë të dielën - Foto: KALLXO.com

Ftohet në Gjykatë Ditën e Diel

Një qytetar nga komuna e Kaçanikut është ftuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, dega në Kaçanik, të paraqitet në gjyq më 9 tetor 2016.

Deri këtu gjithçka është në rregull. Por, hesapet ndërrojnë nëse shikohet kalendari.

Sipas kalendarit, data 9 tetor, kur ai është ftuar në gjyq, është e diel, pra ditë pushimi e institucioneve të Kosovës.

KALLXO.com ka siguruar kopjen e ftesës që e ka pranuar qytetari nga Departamenti për Kundërvajtje pranë kësaj Gjykate. Në të shkruan se nëse i njëjti nuk paraqitet në këtë datë do të sillet nga Policia apo se do të vendoset në mungesë të tij.

Lidhur me këtë rast, KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

“Në ftesën e Gjykatës Themelore në Ferizaj – Dega në Kaçanik – Divizioni për Kundërvajtje, në ftesën e gjykatës dorëzuar palës në procedurë, pala është ftuar për paraqitje në gjykatë më data 09.10.2016 ditë e hënë. Megjithatë, sipas kalendarit data 09.10.2016  është ditë e diel kur edhe pushojnë institucionet shtetërore”, thuhet në përgjigje.

Gjykata përgjegjës për këtë gabim e bën Institutin Gjyqësor të Kosovës, i cili e ka shpërndarë kalendarin në Gjykatë dhe ky kalendar rezulton të jetë shtypur me gabime.

“Sipas këtij kalendari, data 9 tetor 2016 figuron të jetë ditë e hënë”, thuhet po ashtu në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Ferizajt.

KALLXO.com lidhur me këtë rast pyetje i ka dërguar edhe Institutit Gjyqësor të Kosovës por nuk ka pranuar përgjigje.